Lidhje

Putini urdhëron tërheqjen e trupave nga kufiri me Ukrainën


Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar trupat që po bënin stërvitje ushtarake në zonat pranë Ukrainës, të rikthehen në baza.

Kremlini i bëri njoftimin sot, vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.
Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha sot se aleanca nuk ka nuk ka parë shenja konkrete tërheqjeje, duke vënë në dukje se nuk është hera e parë që zoti Putin ka deklaruar një tërheqje trupash.

Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të shkaktuar vonesa apo sabotuar zgjedhjet presidenciale të së dielës do të dëmtonte përpjekjet për t’i dhënë fund krizë politike në Ukrainë.

Edhe Pentagoni tha sot se nuk ka shenja për largimin e trupave ruse nga kufiri.
Vendet perëndimore kanë protestuar ndaj dislokimit të dhjetra mijëra trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, duke shprehur shqetësimin se ky dislokim mund të jetë një parapërgatitje për marrje nën kontroll të territoreve të tjera, pasi Rusia aneksoi Krimenë në mars.

Kremlini i bëri sot gjithashtu thirrje Kievit që të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina lindore. Ushtria dhe policia ukrainase kanë bërë përpjekje që të zmbrapsin një rebelim rus në lindje.

Separatistët në Ukrainën lindore kanë shpallur pavarësinë nga qeveria e Kievit dhe vullnetin për t’u bashkuar me Rusinë. Përleshje të dhunshme kanë shpërthyer në qytete të ndryshme lindore të Ukrainës me forcave ukrainase të sigurisë dhe kryengritësve.
XS
SM
MD
LG