Lidhje

Ambasadori Pyatt mbi konfliktin në Ukrainë

  • Henry Ridgewell

Shtetet e Bashkuara po ashpërsojnë sanksionet kundër Rusisë lidhur me rolin në konfliktin e Ukrainës lindore. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori amerikan në Ukrainë Geoffrey Pyatt tha se Presidenti rus Vladimir Putin duhet të marrë masa për të qetësuar krizën.
Goditja e avionit të shoqërisë Malaysia Airlines më 17 korrik e ka bërë konfliktin në Ukrainën lindore temë parësoree në axhendën e qeverive të ndryshme në botë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori amerikan në Ukrainë Geoffrey Pyatt tha se të gjitha provat tregojnë se avioni u qëllua me armë të prodhimit rus.

“Kemi bindje të fortë se avioni u rrëzua nga goditja me raketë SA-11, e hedhur nga territori i kontrolluar nga separatistët. E dimë që këto sisteme raketash janë transportuar në Rusi. Fakti i vetëm që nuk dimë në këtë pikë është se kush e shtypi butonin”.

Moska dhe separatistët kanë këmbëngulur se nuk kanë gisht në sulm. Ambasadori Pyatt thotë se thjesht një telefonatë nga Presidenti Putin do t’i detyronte kryengritësit të lejonin hetime nga ekspertë të huaj:

“Ka rëndësi kritike të kemi parasysh se shumë udhëheqës të së ashtu-quajturës Republika Popullore e Donetskut janë faktikisht shtetas rusë, me pasaporta ruse. Shumë prej tyre janë operativë të shërbimeve sekrete ruse”.

Rusia vazhdon të këmbëngulë se nuk ka ofruar mbështetje materiale për separatistët. Ambasadori Pyatt thotë se të dhënat e fundit të shërbimeve amerikane të zbulimit ofrojnë një tjetër skenar:

“Duket qartë një tendencë e Rusisë për të acaruar konfliktin. Po ashtu jemi të shqetësuar nga kampet stërvitore në rajonin e Rostovit. Ka dëshmi që po mobilizohen sisteme të tjera më të avancuara armësh në këto kampe, ndoshta në përgatitje për t’i sjellë në Ukrainë”.

Një raport i kohëve të fundit nga organizata Human Rights Watch paralajmëron se do të shtohen viktimat nga zjarri i forcave qeveritare dhe separatistëve. Ambasadori amerikan thotë se deri tani ushtria ukrainase është treguar e frenuar:

“Shpresojmë që Presidenti Poroshenko do t’i përmbahet angazhimit se nuk do të zhvillohen ofensiva në zona urbane, nuk do të ketë sulme në qytetin e Donetskut apo në qytete të tjera”.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër individëve dhe bizneseve ruse, përfshirë sektorin energjetik, atë të financës dhe mbrojtjes. Ambasadori Pyatt thotë se ka rëndësi jetike që aleatët në Evropë të ecin me një ritëm:

“Sanksionet tona kanë qenë të efektshme deri tani, pasi i kemi koordinuar ngusht me evropianët. Jemi përpjekur të dërgojmë një mesazh të qartë dhe konsistent ndërkombëtar se Rusia duhet të respektojë rendin në Evropë si dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia ishte e zhgënjyer nga sanksionet, por shtoi se nuk do të kundërpërgjigjet.

XS
SM
MD
LG