Lidhje

Pyjet e Afrikës


Sipas një studimi të publikuar kohët e fundit, humbja e pemëve në basenin tropikal të Kongos është ngadalësuar. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sela Hennessy nga Londra, baseni tropikal i Kongos është rajoni tropikal i dytë më i madhi në botë, pas Amazonës, dhe shkencëtarët thonë se studimi është lajm i mirë për mjedisin.

"Në vitet 1990, rreth 285,000 hektarë pyje pakësoheshin çdo vit në Afrikën Qendrore. Kjo prirje u ngadalësua në mbi 100 mijë hektarë në vitet 2000. Pra ka patur një rënie të madhe të shpyllëzimeve në Afrikën Qendrore mes viteve 1990 dhe 2000, që është një rezultat i papritur."

Studimi që bazohet në analizat e imazheve satelitore, tregon se niveli i shpyllëzimit në basenin e Kongos është më i ulët se në rajonet e tjera të rëndësishme të pyjeve tropikale në botë.

Studiuesi Lewis thotë se kjo mund të vijë pjesërisht nga fakti sesi vendet e Afrikës Qendrore kanë zhvilluar ekonomitë e tyre. Ato varen në pjesën më të madhe, thotë ai, tek nafta dhe pasuritë minerale dhe po investojnë më pak në bujqësi.

"Ata janë të orientuar drejt këtyre mallrave dhe jo drejt zgjerimit të bujqësisë. Pra nuk kemi parë rritje të madhe të bujqësisë industriale siç kemi parë me sojën në Amazonë apo me vajin e palmave në Azinë lindore. Kjo nuk po ndodh ende në përmasa të mëdha në Afrikën Qendrore dhe prandaj niveli i shpyllëzimit është i ulët."

Por ai thotë se kjo mund të ndryshojë. Afrika Qendrore është në një moment të rëndësishëm me rritjen e popullatës, rritjen e kërkesave për ushqim dhe njëkohësisht rritjen e standarteve të jetesës. Ndërsa këto faktorë shtojnë kërkesën për mallra nga toka bujqësore, shpyllëzimi ka të ngjarë të rritet. Studimi u publikua në revistën Philosophical Transactions of the Royal Society B dhe është pjesë e një serie mbi pyjet afrikane.

Një studim tjetër zbulon se pemët në basenin Kongos janë të veçanta. Zoti Lewis thotë se ato janë më të mëdha dhe më magjepse sesa ç’ishte menduar më parë. Ekspertët matën më shumë se 100,000 pemë dhe zbuluan se ato janë mesatarisht më të mëdha sesa në Amazon. Drejtori i qendrës për shfrytëzimin e burimeve Stewart Wilson ka vëzhguar industrinë e drurit në Afrikën Qendrore për disa vjet.

Ai thotë se studimi i fundit është lajm i mirë. Por ai paralajmëron se megjithë regullat për prerjen e pyjeve në shumë vende të Afrikës Qendrore, nuk ka kontroll për të mbrojtur pyjet tropikale. Ai thotë se qeveritë dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjnë më tepër për të siguruar mbrojtjen e pemëve.

"Secili vend, qoftë Kongo apo Kameruni apo Republika e Afrikës Qendore, të gjitha ato përballen me probleme të mëdha qeverisjeje. Në se marrim Republikën Demokratike të Kongos për shembull, qeveria thjesht nuk është e pranishme në dy të tretat e vendit. Aty nuk ka ligj."

Baseni tropikal i Kongos shtrihet në një sipërfaqe prej dy milion kilometrash katrore.
XS
SM
MD
LG