Lidhje

Ish të burgosurit politikë përkujtojnë revoltën e Qafë-Barit

  • Pëllumb Sulo

Ish të burgosurit politikë

Ish të burgosurit politikë

Reth 18 kilometër larg qytetit të Fushë Arrësit, në një zonë të humbur mes malesh, vazhdojnë të qendrojnë në këmbë ndërtesat e ish burgut famëkeq të Qafë-Barit, ku kaluan vuajtjet e tyre më shumë se 500 ish të burgosur politikë. Një pjesë prej tyre, pjesëmarrës në revoltën, që u zhvillua këtu 28 vite më parë, janë rikthyer për të dëshmuar çfarë ngjau ato ditë dhe si strukturat e diktaturës komuniste e shtypën me dhunë dhe viktima revoltën e të burgosurve politikë të Qafë-Barit.

Drejtori i Institutit të të përndjekurve politikë të Shqipërisë, Simon Miraka, thotë se revolta e Qafë-Barit është dëshmi e përpjekjeve për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Revolta e Qafë-Barit u shkrua me gjakun e martirëve të lirisë e demokracisë si Sokol Zef Sokoli, Tom Ndoja e Sandër Sokoli si dhe masakrimin çnjerëzor të dhjetra të tjerëve. Këto gryka malesh , që rrethojnë këtë vend ku jemi mbledhur sot në përkujtim të këtyre martirëve, akoma ushtojnë nga thirrjet “Poshtë Komunizmit”. Ajo është një thirrje që do të ushtojë gjithmonë në ndërgjegjen e kombit për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Pjesëmarrës në revoltën e burgut të Qafë-Barit, Hajredin Fratari thotë se megjithë dhunën dhe krimet e tmerrshme, diktatura u shëmb, ndërsa ish të burgosurit politikë mbijetuan.

Qafë-Barit ishte një tmerr. Atëherë komunizmi donte me çdo kusht që të mos kishte asnjë shpresë për njerëxit dhe e shtypi me një masakër të tmerrshmë. Por, arriti që, ky rregjim kaq i tmerrshëm u rrëzua dhe ja ku jemi ne që kemi ardhur këtu pas 28 vitesh.

Në mjediset e ish burgut të Qafë-Barit duken edhe gjurmët e minierës dhe galerive ku, siç thotë Gëzim Peshkëpia, ish të burgosurit politikë kryen punë të detyruar në kushte çnjerëzore.

Këtu kanë qenë pothuajse të barabarta konditat me kampet çfarosëse nazite. Këto ishin miniera jashtë çdo standarti, të destinuara të rrëmbenin herë pas here jetën e të rinjve.

Shkrimtari Visar Zhiti është një nga intelektualët e njohur shqiptarë, që përjetuan tmerret e burgut të Qafë-Barit. Pjesëmarrës në revoltën e 28 viteve më parë, ai ka ardhur këtu bashkë me djalin e tij dhe një libër, botuar kohët e fundit, të cilin ja kushton bashkëvuajtësve të burgut të Qafë-Barit.

Unë kam botuar një linbër për burgun e Qafë-Barit. Kam dashur të dëshmoj të keqen dhe t’i bëj një homazh vuajtjes njerëzore dhe endërrës për të qenë njerëz në një kohë të veshtirë. Mendoj se Shqipëria, me të burgosurit e saj politikë, siguroi moralin dhe ndjenjën e drejtësisë. Shpresoj që këto të duhen për një kohë të gjatë.

Prej vitesh, ish burgu famëkeq i Qafë-Barit ka mbetur i braktisur, duke u dëmtuar pak nga pak e ditë pas dite, si dhe duke tretur edhe ato pak gjurmë të mbetura të krimit. Ndaj, të mbledhur në këtë mjedis, ish të burgosurit politikë të Qafë-Barit kërkuan që, sa më shpejt, burgu i Qafë-Barit të shndërrohet në një muze të krimeve të komunizmit.​

Trego komentet

XS
SM
MD
LG