Lidhje

Qarqet e biznesit vleresojnë zhvillimet ekonomike


Në Shqipëri, komuniteti i biznesit po rifiton gradualisht besimin për punë dhe investime, megjithë problemet e shumta, që ka përpara. Qeveria ka nisur të shlyejë një pjesë të detyrimeve të vjetra, ndërsa firmat po përpiqen të shtojnë investimet vendase dhe të huaja. Sfidë kryesore mbetet për ta, rinovimi i teknologjive dhe aftësimi i punëtorëve. Qarqet e biznesit vendas dhe të huaj po e vlerësojnë tani me një optimizëm të matur klimën e biznesit, ndonëse ende kanë shumë vërejtje për mënyrën se si po funksionojnë disa zhvillime të ekonomisë.

Përfaqësues të organizatave ekonomike mendojnë se paketa fiskale u miratua në kushte urgjence dhe nuk mund të japë efekte pozitive në gjysmën e parë të vitit. Aktualisht mbeten vështirësi taksa e korporatës dhe taksa për të ardhurat personale Ata shpresojnë që paketa fiskale të sjellë rezultate nga fundi i vitit, ndërkohë që në qershor presin të negociojnë më mirë ndryshimet ligjore dhe nënligjore fiskale. Megjithatë, zëvendës presidenti i shoqatës të investimeve të huaja, Përparim Kalo thotë se tregu shqiptar po lëviz në kahun e duhur, në Europë gjërat po ndryshojnë, Gjermania dhe shtete të tjera po ecin më mirë, dhe këto po reflektohen edhe në ekonominë shqiptare.

Ndërsa Nikolin Jaka, kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë thotë se qeveria nuk ka shfaqur ende një strategji të qartë për të thithur investimet e huaja apo vendase, sepse të dyja zënë vend të rëndësishëm në ekonomi. Qeveria sipas tij, duhet të nxjerrë një paketë ofertash për firmat që studiojnë Shqipërinë për të investuar. Nga ana tjetër, zoti Jaka thotë se përtej telasheve të ditës, sfida më e madhe e bizneseve shqiptare është modernizimi i teknologjive të prodhimit dhe shërbimeve, rritja e standarteve dhe cilësisë për të ulur kostot dhe çmimet dhe për t'u përshtatur me BE dhe për të konkurruar në radhët e tij.

Ndërkaq, qeveria po u shlyen firmave ndërtuese mbi 200 milionë usd një pjesë e detyrimeve të prapambetura për investimet publike. Biznesmenët pohojnë se premtimi duket serioz, derisa është përfshirë në marrëveshjen me FMN, por firmat duhet të kthejnë në banka pjesën e parave të kredituara, që të mos marrin ndëshkime të mëtjeshme për vonesat. Zoti Kalo thotë se shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj firmave duhet bërë përmes bankave, në mënyrë që ato para të lënë gjurmë, ndërkohë që firmat po shlyhen drejtpërdrejt me nënkontraktorët. Ndërkohë që po shlyen detyrime të mëparshme, për të mbushur këtë boshllëk qeveria po kërkon të kryejë investime publike me burime të tjera, si donatorë nga Turqia, Gjermania dhe me koncensione mbi autostrada dhe biznese prodhuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG