Lidhje

Qarqet politike dhe ato të biznesit në Shqipëri nisin debatet mbi projektin e amnistisë fiskale


Qarqet politike dhe ato të biznesit në Shqipëri nisin debatet mbi projektin e amnistisë fiskale

Qarqet politike dhe ato të biznesit në Shqipëri nisin debatet mbi projektin e amnistisë fiskale

Qeveria shqiptare nisi sot konsultimet me qarqet e biznesit dhe grupet e interesuara për projektin e amnistisë fiskale. Ministri i financave, Ridvan Bode, deklaroi në një tryezë me përfaqësues të biznesit dhe organizatave të tyre se “aministia fiskale synon të forcojë besimin mes konsumatorit, komunitetit të biznesit dhe qeverisë në fazën e post-krizës ekonomike globale dhe ringritjes ekonomike”. Ai tha se besonte që “amnistia do të mobilizojë fonde të konsiderueshme dhe do të nxitë bizneset që të investojnë në fusha të ndryshme”. Zoti Bode thotë se “projekti është i hapur për sugjerime mbi listën e bizneseve që do të përfitojnë dhe garancitë që ato do të japin se nuk do të dalin më debitorë”. Sipas tij, kërkesat kryesore të qeverisë janë që të mos amnistohen ato pasuri që preken nga ligji antimafia, dhe ato pasuri që nuk janë deklaruar në pasuritë e zyrtarëve.

Nga ana tjetër, opozita socialiste bëri komente të matura mbi propozimin e qeverisë për këtë amnisti dhe për ftesën që opozita të bashkojë votat pro projekt-ligjit që duhet të marrë 3/5 e votave të parlamentit. Deputeti socialist në komisionin parlamentar të ekonomisë, Arben Malaj, thotë se “amnistia fiskale nuk është një zgjidhje magjike e problemeve të shumta që ka sot ekonomia shqiptare”. Zoti Malaj tha se “një amnisti fiskale në prag fushate zgjedhore themelon një precedent politik dhe rrit presionet negative për amnisti në çdo prag fushate”. Zoti Malaj tha se “projekti për amnisti rrit pritshmëritë negative për amnisti fiskale periodike dhe nuk i nxit bizneset që të zbatojnë ligjin e të jenë të rregullta me detyrimet shtetërore”. Deputeti socialist tha që “nëse bëhet një amnisti, ajo duhet bërë në transparencë të plotë dhe në asistencë të ngushtë me institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që duke këshilluar detaje për amnistinë, ata të certifikojnë versionin e duhur të amnistisë për Shqipërinë”.

Kjo është hera e parë që qeveria ndërmerr një nismë për amnisti fiskale, sepse herë pas here gjatë tranzicionit janë ndërmarrë vetëm falje të pjesshme borxhesh dhe gjobash.

XS
SM
MD
LG