Lidhje

Qendër virtuale për të moshuarit në Virxhinia

  • June Soh

Qendër virtuale për të moshuarit në Virxhinia

Qendër virtuale për të moshuarit në Virxhinia

Në një komunitet të vogël në Virxhinia, banorët e moshuar kanë zhvilluar një program që i ndihmon ata të jenë aktivë dhe të angazhuar, pa patur ndikim të madh në buxhetin e qeverisë lokale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh sjell më shumë hollësi mbi këtë program të veçantë.

Kjo është një nga katër klasat e vallëzimit që ofrohet për të moshuarit në lagjet e qytetit Burke dhe West Springfield në Virxhinia. Programi javor është shumë popullor në mesin e banorëve të moshuar me më shumë se 60 pjesëmarrës në secilën klasë.

“Më pëlqen të vij këtu. Është mirë të bëj prova, më bën të lumtur. Është edhe si gjimnastikë për trurin pasi duhet të mbaj në mend hapat e vallëzimit.”

Ky aktivitet nuk ekzistonte deri para dy vitesh, kur Corazon Foley kërkoi nga zyrtarët e bashkisë të ndërtojnë një qendër lokale për të moshuarit.

“Në fillim ata na thanë se nuk mund të bëhej sepse nuk kishte fonde dhe staf. Unë u thashë atyre se fondet duhen për ndërtimin e e një objekti, por ne nuk duam para për ndërtimin e një ndërtese të re. Ne mund të përdorim një kishë ose ndonjë grup tjetër që mund të na lejojë përdorimin e objekteve të tyre.”

Kështu u krijua Qendra për të Moshuarit pa patur nevojë për ngritjen e një objekti.

“Është qendër e të moshuarve me një program, por pa objekt.”

Duke shfrytëzuar hapësirat e dhuruara nga kishat, shkollat, bibliotekat dhe bizneset, qendra virtuale ofron dhjetëra programe dhe aktivitete si joga, Tai Chi, klube për leximin e librave dhe klasa për mësimin e kompjuterëve. Një tarifë pesë dollarësh që paguajnë pjesëmarrësit përdoret për të paguar mësuesit.

Annette Devito thotë se ajo gjithmonë përpiqet të mësoj gjëra të reja.

“Një nga gjërat kryesore që kemi mësuar sot ishte përdorimi i facebook-ut.”

Shirley Dibartolo thotë se ajo dhe burri i saj pëlqejnë klasën e vallëzimit.

“Mendoj se shoqërimi me të tjerët është aktivitet shumë i mirë. Ne kemi krijuar miqësi të reja dhe jemi më aktivë. Aktivitetet si ky na bëjnë të dalim nga shtëpia.”

John Cook, i cili është anëtar i bordit mbikqyrës të bashkisë së Fairfaksit, thotë se Qendra e të Moshuarëve është një shembull i mirë i bashkëpunimit të sektorit publik me atë privat.

“Stafi i bashkisë të Fairfaksit është i angazhuar në këtë program, por ky është një program që drejtohet në bashkëpunim me qytetarët vullnetarë, dhe ky është një bashkëpunim i mirë që ne kemi.”

Përpjekjet e të moshuarëve dhe partneriteti për realizimin e këtij programi është vlerësuar nga të tjerët. Në vitin 2010, qendra e të moshuarëve ka marrë një shpërblim për angazhimin e tyre në integrimin e të moshuarëve nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe një çmim tjetër nga Shoqata Kombëtare e Bashkive.

“Nga ndihma që u jepet të moshuarve përfitojnë familjet dhe gjithë komuniteti.”

Foley gjithashtu thotë se të moshuarit të cilët fizikisht janë aktivë mund të ndihmojnë vendin në trajtimin e krizës së kujdesit shëndetësor.

XS
SM
MD
LG