Lidhje

Qendra e re për nisje e raketave në Korenë e Veriut

  • Stiv Herman

Image taken from the Ikonos satellite, January 10, 2011

Image taken from the Ikonos satellite, January 10, 2011

Imazhet e reja satelitore të siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se Korea e Veriut ka përfunduar kullën e lëshimit në objektin e saj të dytë raketor në veriperëndim të vendit. Analistët e zbulimit në Shtetet e Bashkuara dhe në Korenë e Jugut po vëzhgojnë nga afër objektin e ri në afërsi të qytetit Tongchang-dong. Siç njofton nga Seuli korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman, qendra shihet si një element kritik në ambicjet e Phenianit për të ndërtuar një raketë të aftë për të hedhur një armë bërthamore përtej Paqësorit.

Këto imazhe tregojnë impiantin e përfunduar të hapësirës për lëshimin e raketave në Korenë e Veriut. Imazhet satelitore janë marrë muajin e kaluar. Tim Brown, analist në organizatën Global Security.org thotë se Koresë së Veriut i është dashur gati një dekadë për ta përfunduar objektin.

"Mund të themi tani me besim se kulla dhe sheshi i lëshimit kanë përfunduar. Pyetja është nëse e kanë apo jo raketën. Këtë nuk e dimë".

Zoti Brown dhe kolegët e tij në vitin 2008 e zbuluan të parët objektin, i cili ishte në ndërtim në atë kohë, dhe ishin të parët që e bënë atë publik. Brown thotë se ky është një operacion më i avancuar sesa qendra e parë e Koresë së Veriut pasi ka një pikë për provën e motorit të raketës, një bunker dhe një kullë vëzhgimi.

"Krahasuar me qendër e vjetër, që nuk ishte tjetër veçse një vend ku realizohej lëshimi kur moti ishte i përshtatshëm, kjo është një qendër lëshimi e komplikuar".

Daniel Pinkston, analist në Seul për Grupin Ndërkombëtar të Krizave thotë se objekti është një hap madhor në rrugën e Koresë së Veriut për të ndërtuar një raketë balistike ndërkontinentale të aftë për të goditur Shtetet e Bashkuara.

"Ato janë praktikisht të pandashme. Në se ke një qendër lëshimi mund ta kthesh shumë lehtë në një qendër për raketat balistike".

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts paralajmëroi muajin e kaluar se Korea e Veriut brenda pesë vjetësh do të ketë aftësinë për të goditur me raketë Amerikën Veriore.

Peniani ka testuar dy armë bërthamore dhe thotë se ka kthyer disa nga rezervat e plutoniumit në materiale për bombë. Ka shqetësime se ai synon të krijojë një bombë bërthamore që mund të hidhet me raketë. Korea e Veriut nuk ka folur asnjëherë për qendrën e re. Kjo mund të ndryshojë tani që udhëheqësi Kim Jong Il përgatitet t’i kalojë pushtetin djalit të tij Kim Jong Un.

Korea e Veriut, e cila është mjaft e varfër, ka premtuar të bëhet vendi më i fuqishëm dhe më i begatë vitin e ardhshëm. Disa analistë të rajonit thonë se pjesë e kësaj fushate mund të jetë edhe përpjekja për të hedhur një raketë me tre faza. Përpjekjet e mëparshme kanë dështuar.

Peniani është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për shkak të programit bërthamor. Prandaj nuk është e qartë se çfarë mund të bëjnë qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe e Koresë së Jugut nëse koreanoveriorët përpiqen të hedhin përsëri një raketë apo të testojnë një bombë bërthamore.

XS
SM
MD
LG