Lidhje

Qeveria Rama merr votëbesimin

  • Armand Mero

Kryeministri dhe kabineti i tij merr pëlqimin me 82 vota pro e 55 kundër. Zoti Rama dhe ministrat betohen para presidentit Bujar Nishani

Në Shqipëri qeveria e kryeministrit Edi Rama mori sot pasdite 82 vota pro dhe 55 kundër. Votimi u bë në përfundim të një seance maratonë debatesh mbi programin e cila kishte nisur prej paradites së djeshme. Opozita e djathtë e kritikoi ashpër zotin Rama për një program i cili sic deklaruan përfaqësuesit e saj, nuk përmbante afate e zotime konkrete, duke u zotuar për një betejë të ashpër në mbrojtje të qytetarëve që sipas saj ishin mashtruar. Në fjalën e vet në mbyllje të debateve zoti Rama u angazhua për të nisur menjëherë nga puna për zbatimin e programit të qeverisë së tij.


Pas një debati që zgjati mbi 20 orë mbi programin e saj, qeveria e kryeministrit Edi Rama mori votbesimin e parlamentit. Opozita e djathtë gjatë gjithë diskutimeve të përfaqësuesve të saj i mëshoi faktit se dokumenti i paraqitur nga zoti Rama i ngjante më shumë një liste dëshirash dhe se nuk kishte asnjë objektiv dhe angazhim konkret e me afate kohore. Në njërën prej ndërhyrjeve të tij gjatë ditës së sotme ish kryeministri Berisha foli për një mashtrim të qytetarëve duke paralajmëruar betejë të fortë me qeverinë: “Ju i vodhët besimin qytetarëve shqiptarë me këto premtime. Unë ju deklarova se nëse i sillni këtu unë do I votoj, nëse nuk i sillni do të ketë një betejë, më të vendosurën në 20 vite, për dinjitetin e shqiptarëve”

Zoti Berisha gjatë deklarimeve të tij e ka akuzuar zotin Rama se po vepron si ish kryeministri grek Papandreu. Një përmbledhje e të gjithë kundërshtimeve por edhe akuzave si personale ndaj zotit Rama por edhe ndaj përbërjes së kabinetit të tij, bëri në fund kryetari I grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.

Ndërsa në 20 orët e debatit, ndërhyri vetëm një herë mbrëmë, zoti Rama mori fjalën sot në mbyllje të të gjitha diskutimeve duke deklaruar se nuk mund të ketë asnjë ngjashmëri me skenarin grek: “Tjetër Shqipëri e tjetër Greqia, e ju siguroj se tjetër unë e tjetër Papandreu. Të jeni të sigurt për këtë. Ndaj mos u mprehni kot për katastrofën e vendit, që të ktheheni në vendin ku ishit, se kjo Aleancë për Shqipërinë europiane, do të bëjë për këtë vend atë që bëra për Tiranën dhe me një fuqi shumë të madhe qeverisëse do të ecë përditë e më shpejt për Shqipërinë europiane të projektuar në këtë program”

Në fund të fjalës së tij ku nuk munguan sulmet dhe kundërpërgjigjet ndaj deputetëve të opozitës, ai u angazhua për realizimin e programit të paraqitur: “Cka është shkruar në këtë program nuk do të pengojë atë që do të bëjmë në qeverisje. Ndaj këtu mbaron edhe debati ynë për një dokument të shkruar. E merr udhë, pas votbesimit të qeverisë, ballafaqimi ynë për punët konkrete që ne do të bëjmë mbi këtë program. Puna juaj është fjala e ne do ju dëgjojmë. Fjala jonë është puna dhe ju do na shikoni”.

Menjëherë pas votëbetimit në Parlament, Kryeministri Rama dhe ministrat e tij, shkuan tek Presidenti Bujar Nishani për të bërë betimin.Pas ceremonisë së shkurtër atje, të gjithë ministrat dhe zoti Rama shkuan në këmbë drejt godinës së qeverisë. Në ambjentet e jashtme, përpara disa qindra njerëzve të grumbulluar aty, zoti Rama mbajti një fjalë të shkurtër ku u shpreh se qeveria e re do të jetë e të gjithë shqiptarëve.

"Ne jemi zgjedhur për të bashkuar dhe jo për të ndarë. Për ne koha e fjalëve në opozitë ka mbaruar dhe fillon puna në qeveri", u shpreh zoti Rama duke deklaruar se "ëndrra për Evropën e nisur që në vitin '90 do të vazhdojë më e gjallë dhe e fuqishme se asnjëherë".

Ndërkoha nga selia e Partisë Demokratike, kryetari i saj Lulzim Basha sulmoi zotin Rama "për dhunën verbale të ushtruar ndaj deputetëve të opozitës" duke iu referuar fjalës përmbyllëse të zotit Rama në Parlament.

Zoti Basha kërkoi që kryeministri "të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga gjuha e mllefit dhe e kërcënimeve. Në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund t'i merrni me mend vetë", paralajmëroi zoti Basha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG