Lidhje

Qeveria afgane do të marrë kontrollin e sigurisë së vendit deri në vitin 2014

  • Zëri Amerikës

Komuniteti ndërkombëtar i dha miratimin planit të qeverisë afgane që ajo të marrë kontrollin e sigurisë së vendit deri në vitin 2014 dhe të luajë një rol më të madh në menaxhimin e ndihmës për zhvillimin.

Gjatë një konference ndërkombëtare që u mbajt sot në Kabul, përfaqësues të më tepër se 60 vendeve dhe organizatave mbështetën një numër nismash afgane që synojnë t’i japin vendit më tepër përgjegjësi lidhur me sigurinë dhe zhvillimin.

Presidenti Hamid Karzai, bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar ta kanalizojë të paktën 50 për qind të ndihmave të zhvillimit përmes qeverisë afgane. Që nga viti 2001 për Afganistanin janë shpenzuar më tepër se 40 miliardë dollarë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u tha delegatëve në konferencën e Kabulit, se SHBA ndjehen të inkurajuara nga puna e qeverisë afgane për përmirësimin e qeverisjes dhe për luftën ndaj korrupsionit, por shtoi se mbetet ende shumë për t’u bërë.

Deklarata përfundimtare e konferencës një-ditore miraton gjithashtu një plan për riintegrimin e luftëtarëve talebanë, me kushtin që ata të jenë çarmatosur, të hedhin poshtë Al Kaidën dhe të pranojnë kushtetutën afgane.

XS
SM
MD
LG