Lidhje

Qeveria dhe opozita, vlerësime të ndryshme për Kolegjin Zgjedhor


Qeveria dhe opozita, vlerësime të ndryshme për Kolegjin Zgjedhor

Qeveria dhe opozita, vlerësime të ndryshme për Kolegjin Zgjedhor

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se po pret që të bashkëpunojë me çdo bashkiak të zgjedhur në 8 maj për të realizuar projekte zhvillimi. Zoti Berisha tha në mbledhjen e grupit të deputetëve demokratë se bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore është i kushtëzuar nga dëshira e madhe dhe kërkesat e qytetarëve për të zhvilluar Shqipërinë.

Sipas tij, projekti i përbashkët i të gjithëve është “Shqipëria një vend i zhvilluar në infrastrukturë, arsim dhe ekonomi”. Zoti Berisha tha se “vendimet e Kolegjit për zgjedhjet vendore janë një fitore e shtetit ligjor”, sepse shteti ligjor është parakushti që shoqëria të mbetet e lirë dhe që qytetarët të mbrojnë të drejtat e tyre. Ai tha se Kolegji Zgjedhor i shpalli të rregullta vendimet e KQZ për të numëruar votat e hedhura gabim, dhe kjo duhet respektuar si veprim në mbështetje të lirive njerëzore, ku liria e zgjedhjes me votë zë një vend kryesor.

Por komentet e kryeministrit Berisha kanë si anë tjetër të medaljes skepticizmin e socialistëve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore. Partia Socialiste njoftoi se do të vazhdojë “betejën e saj ligjore për të provuar shtrembërimin e rezultateve zgjedhore”. Ata i mbeten qëndrimit se kanë fituar shumicën e njësive administrative në të gjithë territorin, përfshi edhe bashkinë e Tiranës, ku rezultati u përmbys me numërimin e votave shtesë, herë të quajtura të kontestuara, e herë të pavlefshme. Edhe pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, socialistët besojnë se votat u shtrembëruan dhe u vodhën, dhe se ata pritnin që Kolegji të fliste në favor të tyre.

XS
SM
MD
LG