Lidhje

Qeveria e Kosovës e gatshme të vazhdojë bisedimet për çështje teknike me Serbinë

  • Leonat Shehu

Qeveria e Kosovës e gatshme të vazhdojë bisedimet për çështje teknike me Serbinë

Qeveria e Kosovës e gatshme të vazhdojë bisedimet për çështje teknike me Serbinë

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të vazhdojë bisedimet për çështje teknike të interesit të përbashkët me Serbinë, por ka hedhur poshtë çdo mundësi që të diskutohet për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës dhe për tërësinë e saj territoriale. Këto qëndrime janë përsëritur pas takimit që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe një pjesë e kabinetit të tij kanë zhvilluar me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Robert Cooper, i cili edhe sot do të qëndrojë në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se Prishtina është e gatshme të bisedojë me të gjithë fqinjët për zgjidhjen e të gjitha çështjeve praktike të interesit të përbashkët, përfshirë edhe Serbinë.

Në komunikatë thuhet se “Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, vlerësim që ndahet edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni, duke nënvizuar se “Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, tërësia territoriale dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës”.

“Dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve”, thuhet komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Të premten zoti Cooper qëndroi në Beograd ku nuk arriti të siguroj pajtimin e zyrtarëve serb për vazhdimin e këtyre bisedimeve. Beogradi kërkon që të bisedohet për gjendjen në veriun e Kosovës përkatësisht për vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë, në veriun e banuar me shumicë serbe.

Gjendja në veriun e banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë e tensionuar ndërsa serbët lokal po mbajnë të mbyllura të gjitha rrugët e zonës në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Kjo situatë bëri që Beogradi të mos i vazhdoj bisedimet të parapara për 28 shtator ndërsa edhe raundi i radhës që do të duhej të mbahej më 14 tetor është vënë në pikëpyetje.

XS
SM
MD
LG