Lidhje

Qeveria e Kosovës: Marrëveshja ishte zgjidhja më e mirë


Qeveria e Kosovës: Marrëveshja ishte zgjidhja më e mirë
Qeveria e Kosovës: Marrëveshja ishte zgjidhja më e mirë

Pajtimi i Prishtinës me mënyrën që paraqitjes së Kosovës në forumet rajonale, është përcjellë me reagime të shumta të opozitës e cila këtë e sheh si kompromis në dëm të shtetësisë së Kosovës.

Ndërsa qeveria e Kosovës dhe diplomatët perëndimore thanë se ky pajtim ishte zgjidhja më e mirë e mundshme e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës evropiane. Kryeministri i Kosovës e cilësoi shumë të rëndësishme marrëveshje e sotme.

Prandaj, lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahttisarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjeve të sotme në Bruksel. Në një deklaratë për opinion thuhet se “konkretizimi i rrugës evropiane për Republikën e Kosovës, me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale dhe me fillimin e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, do të përshpejtojë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe do të mundësojë thellimin dhe zbatimin e reformave në vend”.

Presidentja Jahjaga u ka bërë thirrje “të gjitha institucioneve, partive dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, gjithë procesit të dialogut dhe rrugës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur në proceset e integrimeve euroatlantike”, thuhet në një deklaratë të presidentes Jahjaga.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në një reagim “rikonfirmon qëndrimin e sa se, siç thuhet, Republika e Kosovës duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale si vend sovran e i pavarur, me emrin e vet kushtetues. Duke ritheksuar përkushtimin e vet të përhershëm për ardhmërinë e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike, si dhe duke ritheksuar përkushtimin e thellë për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara, Lidhja Demokratike vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq paralajmëroi protesta për të hënën në kundërshtim të marrëveshjes që sipas udhëheqësit të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, është shumë e dëmshme për Kosovën.

Me këtë marrëveshje, 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës përsëri po i bëhet statusi i papërcaktuar, përsëri për Kosovën e paqartë po legjitimohen dy palë: vetë Kosova por edhe Serbia. Dialogu i Brukselit 2011/2012 po na kthen te negociatat e Vjenës 2006/2007. Madje, është edhe më keq se kaq. Sepse, tashmë është hequr fjala ’Republikë’ nga emri ynë. Statusi bëhet i papërcaktuar në kuptimin që nuk dihet se çka do të jetë porse dihet që s’do të jetë Republika meqë atë e hoqën paraprakisht”, tha zoti Kurti.

Kryeministri Thaçi ndërkaq tha se marrëveshja e sotme nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës, ndërsa nënvizoi se ajo është formulë e përkohshme.

Unë jam i vetëdijshëm që veprimi i qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur është në të mirë të vendit. Por, thelbi i të qenurit lider apo edhe kryeministër, qëndron në marrjen e vendimeve serioze dhe shpesh herë edhe të vështira. Ky vendim që kam marrë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë pikërisht i tillë. Por, si Kryeministër, unë jam shumë i bindur që kemi ndërmarrë vendimin e duhur për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës. Kosova, me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim, dhe jo izolim. Kosova u përcaktua ta përfaqësoj vetveten e jo të përfaqësohet nga të tjerët”, tha kryeministri Thaçi.

Ambasada amerikane në Prishtinë ,nëpërmjet një komunikate theksoi se “marrëveshjet e sotme shërbejnë për të forcuar shtetësinë e Kosovës duke i lejuar asaj që të ketë një ulëse në tavolinë dhe të përfaqësojë veten në forumet rajonale”. Në një deklaratë të ambasadës inkurajohen siç thuhet, “forcat demokratike që të shfaqin përkrahjen e tyre për këto marrëveshje nga të cilat Kosova përfiton, derisa forcon pavarësinë e saj dhe përparon drejt së ardhmes evropiane”.

Marrëveshja u përshëndet përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, sipas të cilit ajo është shumë e rëndësishme për përparimin domethënëse të të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në Serbi ndërkaq pushteti e ka vlerësuar marrëveshjen e sotme si një fitore të politikës “Edhe Evropa, edhe Kosova”. Presidenti serb Boris Tadic, u ka thënë medieve serbe se “Kosova, nuk do të përfaqësohet si shtet i pavarur”. Ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojë të bisedojë me Kosovën, për të arritur kompromise për problemet e njerëzve të zakonshëm, kompromise që sipas tij “gjithmonë do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe interesat e qytetarëve të saj”.

Opozita në Serbia ndërkaq e ka cilësuar marrëveshjen e sotme siç thuhet, tradhti ndaj interesave kombëtare të Serbisë.

XS
SM
MD
LG