Lidhje

Qeveria siriane vazhdon bombardimet mbi qytetin Homs


Qeveria siriane vazhdon bombardimet mbi qytetin Homs

Qeveria siriane vazhdon bombardimet mbi qytetin Homs

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se presidenti sirian Bashar Al Assad do të ndërmarrë reformat e premtuara dhe së shpejti do të caktojë një datë për referendumin mbi një kushtetutë të re, e cila synon zgjerimin e pjesmarrjes politike.

Zoti Lavrov e bëri këtë deklaratë pas takimit me presidentin e Sirisë në Damask, ku u diskutua rreth shkallëzimit të dhunës në vend. Sipas zotit Lavrov të cituar nga mediat ruse, presidenti Assad mbështet zgjerimin e misionit monitorues të Lidhjes Arabe në Siri dhe është i gatshëm për dialog me opozitën.

Përpjekjet e përsëritura të Lidhjes Arabe dhe Rusisë për të ndërmjetësuar bisedimet janë hedhur poshtë nga disidentët antiqeveritarë, të cilët refuzojnë të takohen me zyrtarët sirianë në klimën e shtypjes së përgjakshme të protestave nga zoti Assad.

Disa vende evropiane, duke përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, i kthyen në atdhe ambasadorët e tyre të akredituar në Siri. Tërheqja e ambasadorëve u njoftua edhe nga shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik, i kryesuar nga Arabia Saudite. Shtetet e Bashkuara e mbyllën dje ambasadën e tyre në Damask.

Aktivistët sirianë thonë se bombardimet kanë rifilluar në qytetin Homs, një ditë pas gati 100 civilë u vranë në të gjithë vendin në përpjekjet për të shtypur kryengritjen popullore kundër Presidentit Bashar al-Asad.

Aktivistët thanë se bombardimet sot u përqëndruan në distriktin Amr Baba. Kjo shënon ditën e katërt të fillimit të një sulmi të qeverisë, që sipas aktivistëve filloi me vrasjen e të paktën 200 banorëve të premten dhe të shtunën. Organizata e të drejtave të njeriut me seli në SHBA Human Rights Watch thotë se qeveria siriane ka rritur nivelin e dhunës pas dështimit të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Duket se qeveria siriane është duke e trajtuar veton Këshillit të Sigurimit ndaj rezolutës për Sirinë si dritë jeshile për të rritur nivelin e dhunës dhe vrasjeve. Kemi njoftime se sot ka patur bombardime të vazhdueshme, përfshirë bombardimet në lagjet e qytetit Homs dhe flitet për mbi 50 të vdekur. Madje bëhet fjalë edhe për një sulm kundër një spitali fushor. Ne kemi njoftime se forcat e këmbësorisë së ushtrisë siriane janë duke mbledhur trupat e njerëzve nëpër rrugët e qytetit, njerëzit kanë dëgjuar bombardimin e lagjeve dhe kanë parë tym. Duket se kjo është një nga ofensivat më të mëdha që kur kanë filluar protestat”.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA fajëson “terroristët e armatosur” për dhunën.
Bombardimet e sotme ndodhin ndërkohë që ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov po viziton Damaskun për të zhvilluar bisedime me presidentin Asad. Vizita e tij pason veton që Rusia dhe Kina i vunë një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë. Z. Lavrov dje e mbrojti veton e Rusisë.

“Në të vërtetë, disa zëra në Perëndim, duke e dhënë mendimin e tyre për rezultatet e votimit mbi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, kanë thënë se ato ishin të papërshtatshme dhe të pamenduara. Kjo më sjell në mendje thënien: “Ai që zemërohet, rrallë herë është në anën e të drejtës”.

Shtetet e Bashkuara mbyllën ambasadën në Siri dhe tërhoqën të gjithë diplomatët prej andej.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun tha të hënën se “e tmerron” sulmi i qeverisë siriane mbi Homs, duke e cilësuar atë “të papranueshëm për njerëzimin”.

XS
SM
MD
LG