Lidhje

Rama paraqet strukturën e qeverisë së re


Në kabinetin e ri pesë anëtarë më shumë se aktualisht. Shtohen dy ministri, dy ministra Shteti dhe një zëvendës kryeministër pa portofol

Në Shqipëri kryetari socialist dhe kryeministri i ardhshëm i vendit prezantoi sot strukturën e qeverisë që ai pritet të drejtojë prej muajit shtator. Në ndryshim nga ajo aktuale, zoti Rama ka parashikuar një rishpërndarje të funksioneve e cila ka sjellë edhe krijimin e dy ministrive më shumë, si dhe tre ministra Shteti dhe një zëvendëskryeministër pa portofol. Zoti Rama tha se struktura e re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve dhe disa nevojave shumë të rëndësishme që ka vendi

Kryetari socialist Edi Rama i cili pret që në fillim të muajit shtator të hyjë në godinën e qeverisë si kryeministër i ardhshëm paraqiti sot strukturën e re të saj: “Është një strukturë e cila është ndërtuar mbi bazën e një analize të hollësishme të strukturës ekzistuese dhe të gjithë degëzimeve të strukturës ekzistuese, që në këndvështrimin tonë përbëjnë një trupë me shumë parazitë brenda dhe kërkojnë një shkurtim drastik”.


Por të paktën nga numrat struktura e re nuk premton shkurtime. Në total kabineti qeveritar do të jetë i përbërë nga kryeministri, një zëvendëskryeministër pa portofol, dhe 19 ministra, nga të cilët tre janë ministra Shteti. Pesë anëtarë me shumë nga kabineti aktual I zotit Berisha.

Pa ndryshuar mbeten gjashtë ministri, ajo e Jashtme, e Mbrojtjes, e Financave, e Shëndetësisë, e Drejtësisë dhe Integrimit. Ministria e Brendshme, mban të njejtin emër por asaj do t’i hiqet nga varësia Pushteti Vendor i cili do tët’I kalojë një ministri Shteti. Po kështu, kësaj ministrie i hiqet nga varësia edhe Administrata publike e cila i shtohet Ministrit të Shtetit për Inovacionin, strukturë ekzistuese edhe aktualisht. Një ministër i tretë Shteti do të jetë për Marrëdhëniet me parlamentin.

Për pjesën tjetër, duket se ka një rishpërndarje të funksioneve dhe përcaktime të reja. Kështu ministria aktuale e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës do të ndahet në dy pjesë, në Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. E njejta situatë edhe për Ministrinë e Punëve pubike dhe Transportit e cila ndahet në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës dhe në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Turizmi në fakt i hiqet Ministrisë së Kulturës e cila mbetet vetëm me këtë emërtim pasi cështjet e Rinisë i bashkangjiten Ministrisë së Mirëqënies sociale e cila aktualisht quhet Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Arsimit. Ministria e Mjedisit do të mbetet e tillë por pa Administrimin e Ujërave që kalon në kompetencë të asaj që do quhet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Zoti Rama tha se struktura e Qeverisë së re është ndërtuar duke mbajtur parasysh përparësitë dhe nevojat që ka sot vendi “dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri e cila të ketë shumë më tepër fokus, shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetarëve”.

Drejtuesi i ardhshëm i qeverisë, deklaroi se dhe struktura e kryeministrisë do të pësojë një reformë të thellë sikundër edhe ministrit të cilat mbetën të pandryshuara, ndërsa do të shkurtohen komitetet që funksionojnë në varësi të kreut të qeverisë, “sepse sot janë një tufë e tërë parazitësh dhe do të jenë komitete të mirëfillta pune për prioritetet dhe për koordinimin e të gjitha energjive qeverisëse të vendit”.

Në fund të këtij muaji apo në fillim të gushtit zoti Rama premtoi edhe prezantimin e emrave që do të përbëjnë kabinetin e tij qeveritar.


STRUKTURA E QEVERISE SE ARDHSHME

Kryeministri
Zëvendëskryeministri
1- Ministria e Financave
2- Ministria e Brendshme
3- Ministria e Mbrojtjes
4- Ministria e Jashtme
5- Ministria e Integrimit europian
6- Ministria e Drejtësisë
7- Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
8- Ministria e Energjisë dhe Industrisë
9- Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës
10-Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
11-Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
12-Ministria e Shëndetësisë
13-Ministria e Arsimit dhe e Sportit
14-Ministria e Mirëqënies sociale dhe Rinisë
15-Ministria e Mjedisit
16-Ministria e Kulturës

Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
Ministër Shteti për Çështjet Vendore
Ministër Shteti për Marrëdhëniet me parlamentin
XS
SM
MD
LG