Lidhje

Qeveria u kërkon bashkive mbledhjen e taksave


Qeveria shqiptare i bëri sot thirrje pushtetit vendor që të shfrytëzojë më mirë kompetencat që ka marrë gjatë decentralizimit për të fuqizuar ekonominë e tyre në shërbim të qytetarëve. Kryeministri Sali Berisha tha sot se “mbledhja e taksave vendore nuk po shkon mirë në punën e bashkive dhe komunave”.

Ai përmendi taksat e biznesit të vogël dhe taksat mbi pasurinë, ndër ato që nuk mblidhen si duhet, por që duhet të jenë mbështetje për projektet e zhvillimit. Zoti Berisha i bëri këto komente në një konferencë kombëtare për forcimin e qeverisjes vendore dhe bashkëpunimit më atë qendrore. Zoti Berisha tha se Shqipëria ka aktualisht një nga qeverisjet vendore më të konsoliduara në rajon. Ajo ka kompetenca të shumta në administrimin e territorit, të taksave, investimeve, por ato duhen të jenë më aktive në projektet publik-privat.

Por studiues të pavarur të kësaj fushe mendojnë se Shqipëria ka bërë hapa prapa në procesin e decentralizimit të kompetancave vendore, sa kohë që ende pushteti vendor ka autonomi financiare shumë të kufizuar. Drejtuesi i Lëvizja Europiane e Shqipërisë, Gledis Gjipali, një organizatë e specializuar në çështje të integrimit, thotë se fuqizimi i pushtetit vendor është një kërkesë e rëndësishme e Bashkimit Europian.

“Rreth 70 për qind e ligjeve europiane zbatohet nga pushteti vendor, ndaj BE është e interesuar për struktura vendore të fuqishme për të sjellë projekte zhvillimi” - tha ai.

Zoti Gjipali thotë se përzgjedhja klienteliste ndaj bashkive dhe komunave, afrimi i zgjedhjeve, në organizimin e të cilave pushteti vendor luan një rol të rëndësishëm, do të vënë sërish në pikëpyetje procesin e decentralizimit fiskal. Ekspertët e pavarur thonë se qeveria vendos vetë se në cilat rajone i dërgon investimet, dhe në fund është e interesuar në një klimë të ndezur elektorale të marrë meritat, duke mos ia lënë këto punë pushtetit vendor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG