Lidhje

Qeveritë fillojnë të analizojnë përmbajtjen e mesazheve në WikiLeaks

  • Henry Ridgwell

Qeveritë fillojnë të analizojnë përmbajtjen e mesazheve në WikiLeaks

Qeveritë fillojnë të analizojnë përmbajtjen e mesazheve në WikiLeaks

Qeveritë kudo në botë kanë filluar të analizojnë përmbajtjen e mijëra mesazheve të klasifikuara që ambasadat e ndryshme amerikane dërgonin në Uashington. Shtetet e Bashkuara deklaruan se do të ndjekin ligjërisht çdo person përgjegjës për nxjerrjen e këtyre të dhënave, të publikuara në faqen WikiLeaks.

Në Londër dhe në kryeqytete të tjera të botës, titujt e lajmeve i shkaktuan dhimbje koke Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Mesazhet e para sekrete nga më tepër se 250,000 të tilla që ambasadat amerikane i dërgonin Uashingtonit u botuan në disa gazeta. Përmbajtja e tyre, nëse është e vërtetë, në disa raste duket se mund të sjellë dëme të prekshme. Ja si shprehet Bob Ayres, ish oficer i zbulimit amerikan.

"Shumë prej tyre përsërisin atë që ne tashmë dimë, për shembull se në Afganistan ka korrupsion ose që Shtetet e Bashkuara përpiqen tëdërgojnë njerëz nga Guantanamo në vende të tjera. Kjo nuk përbën lajm. Por veç kësaj, ka edhe gjëra me shumë interes që ndoshta do të donim t’i analizonim pak më thellë."

Mes tyre, thotë zoti Ayres, është pretendimi se Sekretarja e Shtetit Klinton i ka udhëzuar dipolmatët amerikanë të përgjojnë delegacionet e tjera në OKB.

"Kjo është e palejueshme dhe këtu, Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar kufirin."

Dje, Sekretarja Klinton dha këtë përgjigje:

"Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë për nxjerrjen e çdo informacioni që duhet të ishte konfidencial, duke përfshirë bisedat private mes homologëve dhe vlerësimet personale të diplomatëve tanë. Dua ta bëj të qartë se politika jonë e jashtëme zyrtare nuk vendoset nga këto mesazhe por këtu në Uashington."

Shumë prej udhëheqësve të përmendur në mesazhe janë mbledhur në kryeqytetin e Libisë, Tripoli për një samit evropiano-afrikan.

Në mesazhe, kryeministri italian Silvio Berluskoni është përshkruhet si i papërgjegjshëm dhe vanitoz ndërsa udhëheqësi libian Gadafi si dikush që gjithnjë shoqërohet nga një infermiere ukrainase seksi.

Por vemendjen më të madhe e kanë tërhequr komentet më pak personale por që mund të shkaktojnë dëme konkrete.

Thuhet se një numër vendesh arabe i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të sulmojnë Iranin për të mos lejuar që ai të ketë armën bërthamore.

Në mesazhe të tjera thuhet se ushtria amerikane ka ndërmarrë goditje ajrore kundër objektivave të al-Kaidës në Jemen. Qeveria jemenase kishte deklaruar më parë se sulmet ajore i kishte ndërmarrë ushtria e saj.

Ja ç’thotë Christopher Meyer ish-ambasador i Britanisë në Shtetet e Bashkuara.

"Mendoj se është bërë një farë dëmi por përgjithësisht nxjerrja e mesazheve i vë në pozitë të vështirë amerikanët, disa udhëheqës dhe disa vende por le të shohim se ç’do të ndodhë në ditë e ardhëshme sepse do të ketë të tjera."

Analisti i zbulimit të ushtrisë amerikane, Bradley Manning ndodhet në arrest që nga muaji maj, nën akuzat se ka shpërndarë dokumente sekrete dhe mund të nxirret para gjyqit ushtarak. Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder thotë se hetimet penale rreth çështjes janë në vazhdim e sipër.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane Mike Muler pohon se dëmi i shkaktuar nuk mund të nënvlerësohet.

“Jetojmë në një botë ku një e dhënë e vogël mund t’i shtohet një rrjeti informacion duke zbuluar një të çarë të re.”

Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me pak por me 250 mijë mesazhe, disa prej të cilave sekrete, që tani e gjithë bota mund t’i shikojë në internet.

XS
SM
MD
LG