Lidhje

Ministrat e Eurozonës miratojnë ndihmat për Qipron


Ministrat e Financave të Eurozonës ranë dje zyrtarisht dakord për kushtet e paketës së shpëtimit për Qipron. Marrëveshja përbën një ndryshim të dukshëm në politikat e Eurozonës, pasi bankat po paguajnë për të financuar shumën e ndihmës.

Paketa me vlerë 13 miliardë dollarë kërkon nga Qiproja që të sigurojë pjesën tjetër të shumës së nevojshme.

Këtë javë u ngritën një numër pyetjesh se sa miliarda dollarë nevojiten. Fillimisht, paketa e përgjithshme u tha se duhet të ishte rreth 22 miliardë dollarë. Por dokumentat e siguruara nga media e përllogarisin shumën e nevojshme deri në 30 miliardë dollarë.

Dje ministrat e Eurozonës të mbledhur në Dublin miratuan zyrtarisht paketën e shpëtimit, pa ofruar kontributin e tyre kundrejt paketës. Marrëveshja tani duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare dhe kësti i parë i ndihmave për Qipron mund të jetë gati nga mesi i muajit të ardhshëm.

Huadhënësit ndërkombëtarë kanë përllogaritur se ekonomia e Qipros do të tkurret 9 për qind këtë vit dhe afro 4 për qind vitin që pason.

Olli Rehn, Komisioneri i BE për Çështjet Monetare tha dje se ekonomia qipriote mund të tkurret deri në 15 për qind vetëm brenda këtij viti.

“Po rishikojmë parashikimet ekonomike dhe pa diskutim që ka shumë të panjohura lidhur me trajektoren e rritjes ekonomike në Qipro”.

Ai tha se fondet e BE-së, të veçuara me synimin për të fuqizuar ekonomitë që përdorin euron, mund të përdoren për të ndihmuar Qipron.

Qiproja ka vënë në zbatim shkurtime buxhetore dhe reforma në sektorin bankar për të siguruar fondet e nevojshme. Sektori bankar në Qipro është afro tetë herë më i madh se ekonomia qipriote.

Klientët që kanë depozituar shuma në banka janë detyruar të bëjnë kontribute kundrejt fondit të shpëtimit, përmes një takse të imponuar mbi llogaritë bankare që përmbajnë mbi 130 mijë dollarë.

Edhe situata në Portugali dhe Irlandë u ngrit për diskutim gjatë takimit dy ditësh në Dublin. Irlanda mori një paketë ndihmash në vitin 2010 dhe një vit më pas Portugalia mori ndihma përmes një pakete me vlerë mbi 100 miliardë dollarë. Dje, ministrat ranë dakord të zgjasin afatin e maturimit të kredive të shpëtimit me shtatë vjet.

Jeroen Dijselbloem, ministri holandez i financave dhe president i Eurogrupit, bëri komente dje në një konferencë për shtyp:

“Ministrat e Eurogrupit synojnë të marrin një vendim pozitiv lidhur me maturimin e kredive pas shtatë vjetësh. Ky vendim varet nga miratimi i kolegëve të Këshillit për Ekonominë dhe Financat në BE”.

Eurozona pritet të kontribuojë afro 12 miliardë dollarë për paketën e shpëtimit të Qipros. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të japë afro 1 miliard dollarë.
XS
SM
MD
LG