Lidhje

Qipro: Ligjvënësit hedhin poshtë planin financiar


Parlamenti i Qipros hodhi poshtë me shumicë dërrmuese një plan shpëtimi financiar të kërkuar nga huadhënësit ndërkombëtarë, i cili parashikonte taksimin e depozitave në bankat e vendit.

Asnjëri nga ligjvënësit nuk votoi në favor të paketës së shpëtimit prej 13 miliardë dollarësh, ndërkohë që 36 votuan kundër dhe 19 abstenuan.

Fati i paketës financiare ka mbetur tani i dyshimtë, duke ngritur mundësinë që qeveria qipriote të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet e saj financiare, madje kjo mund t'i japë fund anëtarësisë së Qipros në Eurozonën prej 17 vendesh.

Qiproja, e cila prej kohe është një vend që i mbron investitorët nga taksat, ishte përpjekur të përdorte një pjesë të mirë të fondeve të shpëtimit për të financuar bankat e mbingarkuara me borxhe të këqia.

Por kushtet e paketës së shpëtimit, të përcaktuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe vendet fqinje me Qipron që bëjnë pjesë në Eurozonë, kërkonin që ky vend t'u impononte bankave një taksë mbi depozitat - rreth 10 përqind ndaj llogarive bankare mbi 130 mijë dollarë.

Zyrtarë qeveritarë qipriotë propozuan sot një ndryshim të taksës mbi depozitat, që kishte shkaktuar zemërim në vend dhe ka futur në ankth tregjet financiare europiane.

Vetëm disa orë përpara votimit në parlamentin prej 56 vendesh, zyrtarët kërkuan të zbusin ndikimin që do të ketë ky vendim tek depozitat e vogla.

Një projekt ligj i diskutuar në komisionin financiar të parlamentit propozonte që taksa e re të mos prekte depozitat nën 20 mijë euro.

Taksa e re mbi depozitat bankare mendohej se do të siguronte deri në 5.8 miliardë dollarë, shifër që do të ishte pjesë e paketës së shpëtimit financiar të vendit.

Përkrahësit e taksës së re mbi depozitat thonë se kjo është mënyra e drejtë që të huajt që shfrytëzojnë taksat e ulta të Qipros për të depozituar paratë në këtë vend, të paguajnë pjesën e tyre për të shpëtuar bankat nga falimentimi. Rreth një e treta e depozitave në bankat e Qipros u përket shtetasve rusë. Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde tha sot në Frankfurt se FMN-ja e mbështet plotësisht synimin e autoriteteve qipriote që taksa e re mbi depozitat të jetë progresive.
XS
SM
MD
LG