Lidhje

Qipro, bankat të mbyllura, vazhdojnë bisedimet


Qeveria qipriote dhe banka qendrore e vendit vazhduan edhe sot diskutimet rreth një propozimi të ri për të shmangur falimentimin financiar të vendit. Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel u tha sot gazetarëve në Berlin se Gjermania do të presë të shikojë se çfarë propozimi të ri do t'u paraqesë Qiproja kreditorëve ndërkombëtarë.

Në Qipro, qeveria dhe banka qendrore e vendit po diskutojnë rreth një propozimi të ri për të shmangur falimentimin, një ditë pasi parlamenti hodhi poshtë një plan për të grumbulluar miliarda euro me anë të taksimit të depozitave bankare në masën deri në 10 për qind.

Zëdhënësi i qeverisë Kristos Stylianides tha se në bankën qendrore po zhvillohej një takim për të diskutuar një plan alternativ për gjetjen e fondeve si dhe për pakësimin e shumës prej 5,8 miliard euro që duhet të sigurohen nga burime të brendshme.

"Ata kanë shkuar tani në bankën qendrore për të vlerësuar këtë mundësi dhe që përfaqësuesit e partive të dinë se ç'është ky plan," tha zëdhënësi.

Zëvendës guvernatori i bankës Spyros Stavrinakis tha se asnjë vendim nuk është marrë se kur do të rihapen bankat, të cilat janë mbyllur që nga fundjava.

Plani i ri ende nuk u është paraqitur partnerëve të eurozonës apo Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha ai.

Takimet zhvillohen një ditë pasi ligjvënësit kundërshtuan një plan për të taksuar me deri në 10 për qind depozitat bankare, një kërkesë kryesore e kreditorëve të mundshëm në këmbim të një pakete financiare për të shpëtuar sistemin bankar qipriot dhe mbështetur buxhetin e qeverisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha sot se i vinte keq për vendimin e ligjvënësve por e respektonte atë. Ajo tha se tani Gjermania do të presë të shikojë se çfarë propozimi të ri do t'u paraqesë Qiproja kreditorëve ndërkombëtarë. Zonja Merkel tha se vendi i saj dëshiron një zgjidhje për Qipron, por nguli këmbë se është i domosdoshëm një plan për të riparuar sistemin bankar qipriot të rënduar me kredi të këqia.

Bankat në Qipro vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për të tretën ditë dhe mendohet se nuk do të rihapen deri javën e ardhshme, nëse autoritetet qipriote nuk dalin me një paketë të besueshme financiare që të ketë bekimin e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, e ashtuquajtura troika. Paketa duhet të ketë gjithashtu miratimin e parlamentit.

Ndërkohë, në Moskë vazhdojnë bisedimet mes një delegacioni qipriot dhe një numri zyrtarësh bankarë rusë. Ministri qipriot i financave, Michalis Sarris u takua sot me krerët e bankave ruse, duke përfshirë atë të bankës qendrore.

Qiproja mund të kërkojë të zgjasë shlyerjen e kredisë prej 2,5 miliard eurosh që Rusia i dha Qipros në vitin 2011, kur vendi nuk mund të merrte më para nga tregjet ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG