Lidhje

Projekt i BE-së për ndërtimet e diktaturave


Tirana dhe Durrësi ruajnë një sërë ndërtimesh nga periudha e para-Luftës së Dytë Botërore, ku dallohen qartë ndikimet e arkitekturës musoliniane.

Një grup specialistësh të kulturës po punojnë në Tiranë dhe Durrës për të mbrojtur dhe dokumentuar ndërtimet e regjimeve totalitare, pjesë e projektit Atrium, i shtrirë në 11 shtete dhe financuar nga Bashkimi Europian. Projekti studion arkitekturën e regjimeve totalitare të shekullit të njëzetë dhe menaxhimin urban të tyre, dhe përfshihet në fondet e BE-së për Europën Juglindore.

“Qëllimi i projektit Atrium mbi këtë trashëgimi të pazakontë është që kjo arkitekturë e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar të kthehet në një burim të rëndësishëm të zhvillimit vendor” - thotë Aksel Qorduka, specialist i kulturës në këtë projekt.

Në fund të projektit trevjeçar, që mbyllet vitin tjetër, specialistët do të dorëzojnë një dosje në BE ku gjithë këto vende dhe ndërtesa përfshihen në itineraret kulturore turistike ndërkombëtare.

“Tirana dhe Durrësi ruajnë një sërë ndërtimesh nga periudha e paraluftës së dytë botërore, ku dallohen qartë ndikimet e arkitekturës musoliniane të tilla si universiteti, banka qendrore, ministritë dhe bashkitë, vila mbi kodra dhe rrugë tregtare, pa përfshirë edhe mjaft ndërtesa të viteve 60-70 të shekullit të kaluar” - thotë Ana Xhilaga, specialiste turizmi.

Në projektin që studion ndërtimet fashiste e komuniste në Tiranë e Durrës, krahas Shqipërisë, janë përfshirë Italia dhe 9 vende të Europës Juglindore; Sllovenia, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Rumania, Greqia, Kroacia, Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Ndërtesat e periudhave diktatoriale në gjithë këto shtete do të përfshihen në një itinerar kulturor ndërkombëtar, duke i kthyer në një burim zhvillimi vendor.
XS
SM
MD
LG