Lidhje

Fuqitë botërore bëjnë thirrje për vazhdimin e pezullimit të vendbanimeve izraelite

  • Dejvid Gollast

Fuqitë botërore bëjnë thirrje për vazhdimin e pezullimit të vendbanimeve izraelite

Fuqitë botërore bëjnë thirrje për vazhdimin e pezullimit të vendbanimeve izraelite

Edhe Katërshja Ndërkombëtare për Lindjen e Mesme po përkrah zgjatjen e pezullimit që e shpalli vetë Izraeli, por që skadon në fund të muajit.

Grupi i përbërë nga katër fuqi botërore – Bashkimi Evropian, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara – u formua më 2002 për të çuar përpara ecurinë e paqes rajonale dhe një vit më vonë hartoi një udhërrëfyes drejt marrëveshjes së paqes.

Presidenti palestinez Mahmud Abas vazhdimisht ka paralajmëruar se delegacioni i tij do të braktisë bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara po të mos vazhdohet pezullimi dhjetëmujor.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit në selinë e OKB-së, udhëheqësit e Katërshes, përfshirë Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, thanë se pezullimi ka pasur ndikim pozitiv në përpjekjet për paqe dhe duhet të vazhdohet.

Ministri i Jashtëm francez, Bernand Kushner, ishte më këmbëngulës kur u paraqit para gazetarëve, duke thënë se 27 vendet e Bashkimit Evropian janë duke bërë trysni diplomatike për të arritur vazhdimin e pezullimit.

“Ne jemi kundër vendbanimeve. Në të vërtetë, ne u bëjmë thirrje dhe lutemi që miqtë tanë izraelitë të ndalen, të vazhdojnë pezullimin dhe të ndërpresin ngritjen e vendbanimeve. Kjo na duhet. Përndryshe, palestinezët e kanë bërë shumë të qartë se duan të ndërpresin bisedimet. Andaj do të jetë e pamundur të përkrahim vendbanimet.”

Sekretarja Klinton, e cila mori pjesë në bisedimet e drejtpërdrejta javën e kaluar në Sharm el-Sheik të Egjiptit dhe në Jerusalem, bëri thirrje për mbështetje të ecurisë së paqes gjatë një takimi të djeshëm me ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe dhe në takime të ndara me homologët e saj libianë dhe kataras.

Ndërkaq, i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, zhvilloi një takim pune me zyrtarë izraelitë e palestinezë në përpjekje për të bashkërenduar takimin e ardhshëm të dy udhëheqësve, zotit Abaz dhe kryeministrit Benjamin Netaniahu.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Pi-Xhej Kráulli tha se ndërsa Shtetet e Bashkuara me partnerët e Katërshes po nxisin palët të tejkalojnë çështjen e vendbanimeve dhe të vazhdojnë me procesin, marrëveshja e paqes nuk mund të imponohet.

“Përfundimisht, ata duhet të kenë besim dhe të përkushtohen për paqe, si dhe të kalojnë pengesat dhe të arrijnë një marrëveshje. Krejt çka mund të bëjmë ne është t’ua rikujtojmë, siç theksoi Sekretarja Klinton javën e kaluar, se pa këtë proces të paqes dhe pa një marrëveshje, nuk ka siguri për Izraelin dhe nuk ka shtet për palestinezët.”

Katërshja u bëri thirrje palëve të përmbahen nga provokimet dhe fjalimet që mund të acarojnë gjendjen.

Ajo tha se veprimet e njëanshme të cilësdo anë, përfshirë ndërtimin e vendbanimeve, nuk mund të përcaktojnë rezultatin e bisedimeve dhe nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare.

Katërshja mirëpriti veprimet izraelite për të përmirësuar qasjen në Gazë dhe për të zbutur ndalimet e lëvizjes në Bregun Perëndimor, si dhe i bëri thirrje Izraelit të marrë masa të mëtejshme për të lehtësuar ndërtimin e shtetit palestinez.

XS
SM
MD
LG