Lidhje

Gjenerali Petreas paralajmëron për rrezikun e djegies së Kuranit

  • Ilir Ikonomi

Komandanti i forcave amerikane dhe atyre të NATO-s në Afganistan thotë se plani i një kishe amerikane për të djegur Kuranin më 11 shtator mund të vejë në rrezik trupat amerikane dhe të dëmtojë përpjekjet e luftës në atë vend. Gjenerali David Petreas paralajmëroi sot se plani për djegien e librit të shenjtë për besimtarët myslimanë është pikërisht një veprim që talebanët do ta shfrytëzonin për synime propagandistike. Ai tha se ky veprim mund të nxisë ndjenjat anti-amerikane jo vetëm në Afganistan, por në mbarë botën myslimane. Irani paralajmëroi sot se planet për djegjen e kuranit mund të shkaktojnë emocione të pakontrolluara në vendet myslimane. Një kishë e vogël evangjeliste, e njohur si Qendra Dove, në Florida, thotë se ka në plan të djegë kopje të Kuranit më 11 shtator, si një kujtesë për sulmet terroriste të asaj dite. Qeveria nuk i ka dhënë leje kishës ta djegë Kuranin, por megjithatë, ajo ka thënë se do ta kryejë këtë akt. Ambasada amerikane në Kabul po ashtu i dënoi planet e kishës, duke thënë se qeveria amerikane i dënon këto akte që shprehin mungesë respekti ndaj Islamizmit.

XS
SM
MD
LG