Lidhje

Qytetarët grekë reagojnë për krizën aktuale të vendit


Qytetarët grekë reagojnë për krizën aktuale të vendit
Qytetarët grekë reagojnë për krizën aktuale të vendit

Parlamenti grek ka afat deri në fund të muajit për të vendosur për një valë të re masash shtrënguese që janë prezantuar si parakusht për kreditë ndërkombëtare. Këto kredi janë premtuar me synimin për të mos lejuar falimentimin financiar të Greqisë. Por qytetarët grekë kanë prej një viti që e kanë ndjerë peshën e taksave të reja dhe shkurtimeve në shpenzimet buxhetore. Të ndjekim këtë reportazh mbi opinionet në rrugët e Athinës mbi krizën aktuale të vendit:

Greqia është goditur rëndë nga shkurtimi i shpenzimeve dhe rritja e taksave gjatë vitit të kaluar. Kjo duket qartë në kryeqytetin e vendit, Athinë. Nëpër rrugë shihen qartë dyqane të boshatisura, pas falimentimit të bizneseve, edhe në lagjet luksoze të qytetit. Në trotuare flenë njerëz të pastrehë dhe 1 ndër 6 grekë është papunë.

Një ndër to është 29-vjeçarja Areti. Ajo pati një aksident automobilistik 2 vjet më parë, nga i cili u vra i fejuari dhe ajo vetë ishte në rrezik jete. Që atëherë, Areti nuk ka qenë në gjendje të punojë:

“Aksidenti, vdekja e të fejuarit, problemet me shëndetin – të gjitha këto. Duhet të gjej një shkak për të dalë nga shtëpia, për t’u takuar me njerëz. Por kur s’ke punë, jeta është shumë e zymtë”.

Ajo thotë se shumë miq të saj janë pa punë. Kjo gjendje, thotë ajo, është si një ëndërr e keqe që të lë të plogështuar dhe të dëshpëruar.

Duket se Greqia nuk do të zgjohet kollaj nga kjo ëndërr. Ky vend ka borxhe kolosale dhe tani i ka varur shpresat tek partnerët evropianë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të mbijetuar.

Një paketë ndihmash prej mbi 100 miliardë dollarësh është hartuar për të ndihmuar Greqinë të paguajë kreditorët. Por kjo paketë nuk do të zgjidhë problemet madhore të Greqisë. Megjithë rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve gjatë vitit të kaluar, borxhi mbetet kolosal.

Tani BE dhe FMN thonë se para se t’i japin Greqisë fonde të tjera, duan të shohin miratimin e shkurtimeve të reja. Ligjvënësit grekë kanë afat deri në fund të muajit për të miratuar shkurtime prej afro 40 miliardë dollarësh si dhe reforma të reja ekonomike.

Shumë qytetarë grekë thonë se këto masa të rënda po e dërrmojnë vendin. Stefanos Manos është politikan grek.

“Askush nuk jep një ide se kur do të përfundojë e gjithë kjo. Qeveria ka thënë disa herë ‘përfundon me kaq’. Por çdo herë ka ndryshuar mendje. ‘Na duhen masa të tjera’. Prandaj edhe njerëzit janë shumë të paqartë për të ardhmen e tyre”.

Por zoti Manos thotë se pavarësisht nga vështirësitë që shkaktojnë, shkurtimet janë të nevojshme. Ai thotë se sektori publik grek është tepër i madh dhe jo-efiçent dhe në mënyrë që ekonomia e vendit të futet në rrugën e duhur, duhet të shkurtohen shpenzimet e sektorit publik. Përndryshe, thotë ai, Greqia mund të mos arrijë të shlyejë këstet e borxhit dhe mund të humbasë statusin e vendit anëtar në Bashkimin Evropian:

“Shpresoj se nuk do të ndodhë, pasi do të ishte shkatërrimtare për Greqinë. Prandaj unë do të bëja të pamundurën me shkurtimin e shpenzimeve, për të garantuar që do të përmbushin detyrimet ndaj borxhit dhe që nuk do të humbasim vendin në BE”.

Zoti Manos nuk është i vetmi që shpreson se ky skenar nuk do të bëhet realitet. Politikanët evropianë po përpiqen të gjejnë mënyra për të mos lejuar shpërbërjen e Bashkimit. Por për momentin, goditja më e rëndë nga gjithë këto masa po ndjehet nga qytetarët grekë.

XS
SM
MD
LG