Lidhje

Qyteti i Nju Jorkut ndalon pirjen e duhanit në vende publike

  • Karolin Uivër

Qyteti i Nju Jorkut ndalon pirjen e duhanit në vende publike

Qyteti i Nju Jorkut ndalon pirjen e duhanit në vende publike

Sipas fondacionit për të drejtat e njerëzve që nuk pinë duhan, pirja e duhanit në parqe dhe sheshe publike është e ndaluar në më shumë se 500 qytete në 43 shtete të ndryshme në SHBA. Më 23 maj, qyteti i Nju Jorkut u shtua në këtë listë, duke shpallur të paligjshëm pirjen e duhanit në të gjitha parqet e qytetit, plazhet dhe sheshet publike. Zyrtarët thonë se qëllimi i kësaj mase është për të mbrojtur ata që nuk pinë duhan nga rreziqet që i shkakton shëndetit tymi i duhanit të atyre që pinë. Disa kritikë thonë se kjo është e palogjikshme, përderisa pirja e duhanit mbetet e ligjshme në trotuare, ku tymi mund të jetë vështirë për t’u shmangur nga ata që nuk pinë duhan.

Pirja e duhanit ka kohë që është e paligjshme në bare dhe restorante në Nju Jork përfshi restorantet në ajër të hapur - si dhe në stacionet e udhëtimeve, në vendet e punës dhe dyqane. Sipas ligjit të ri, duhanpirësit të cilët ndezin cigare në 1 mijë e 700 parqe të Nju Jorkut ose në plazhet prej 22 kilometrash që ka ky qytet, mund të përballen me një gjobë prej 50 dollarësh. Vizitorët në këtë park kanë mendime të ndryshme.

Mika Bozeman thotë: "Unë nuk pi duahn dhe nuk dua që tymi i tjetrit të përplaset në fytyrën time kur jam i ulur në një park ose kur eci rrugës. Por ata kanë nevojë për të pirë duhan, janë të varur nga nikotina."

Meg Burns thotë: "Unë nuk shoh se si dikush tjetër mund të shqetësohet kaq shumë nga tymi i cigares time. Ne jemi jashtë, në ajër të hapur.”

Jean Pierre thotë: "Është çmënduri, sepse me masa të tilla, njeriu nuk është më në gjendje të gjej një vend për të ndezur një cigare.”

Sharon Stahlnecker thotë: "Shumë njerëz janë të vëmendshëm. Por vetëm ata që nuk pinë duhan e ndjejnë kur tymi u vjen pranë.”

Ditën që ligji hyri në fuqi, udhëheqësit e një shoqate në lagjen Quins u mblodhën në park për të festuar. Veprimtari Warren Schreiber thotë se bishtat e cigareve të hedhura lartë e poshtë shëmtonin mjedisin, shkaktonin rrezik për shpendët - dhe se fëmijët tani nuk ka pse të shohin njerëz duke pirë duhan në parqe publike.

"Ne nuk duam që fëmijët të vijnë në park për të luajtur dhe këtu të shohin të rriturit që pinë cigare.”

Por të tjerë thonë se kjo masë shkon shumë larg dhe mund të dëmtojë fushatat kundër pirjes së duhanit diku tjetër në SHBA, ku 22 shtete ende lejojnë pirjen e duhanit në vende publike, si bare dhe restorante. Michael Siegel, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin e Bostonit, thotë nëpërmjet Skajpit (Skype)

"Ne ende kemi pothuajse gjysmat e shteteve që nuk kanë mbrojtje për punëtorët në bare, restorante dhe kazino. Dhe nivelet e ekspozimit në këto mjedise janë të mëdha, njerëzit janë të ekspozuar kronikë, dhe nuk mund t'i shpëtojnë tymit të duhanit, ndryshe nga një park, ku ju mund të ngriheni dhe të largoheni nëse dikush pranë jush pi duhan. Njerëzit në mjediset e mbylluara ndodhen atje për të punuar e për të siguruar jetesën. Pra, unë mendoj se duhet t’a përqëndrojmë vemendjen tek ndalimi i duhanit në vendet e punës."

Por Rebecca Kalin që kryeson shoqatën për mbrojtjen e të drejtave të personave që vuajnë nga astma, thotë se ndalimi i duhanit në Nju Jork është i nevojshëm për të mbrojtur shëndetin publik.

"Nuk është gjithmonë e lehtë për të qëndruar larg një mjedisi me tym duhani. Por çështja kryesore është se qëllimi i vërtetë, është për të çrrënjosur pirjen e duhanit, shkaktar vdekjesh dhe burim i shumë sëmundjeve.”

Profesor Siegel pergjigjet se ndalimi i pirjes së duhanit në parqe do të shkaktojë më shumë vështirësi për ata që nuk pinë duhan, sepse tani duhanpirësit do të pinë cigare trotuareve dhe në hyrje të parqeve, për të mos thënë se mund të rifillojnë të pinë duhan edhe në shtëpi, nëse nuk lejohen në sheshet e hapura publike.

"Dihet se ekspozimi kronik i personave që nuk pinë duhan ndaj tymit në shtëpi, është një burim shumë i madh sëmundjesh për njerëzit, veçanërisht për fëmijët, kështu që nëse kemi ndonjë mesazh që duam t’u dërgojmë duhanpirësve është: Ju lutem, dilni jashtë për të pirë duhan!”

Zyrtarët e qytetit thonë se shpresojnë që ligji do të "vetë-zbatohet," dhe se policia e parqeve nuk do ta shohë të nevojëshme për të vënë gjoba. Por kritikët parashikojnë se ndalimi i duhanit në parqe do të shpërfillet gjerësisht. Një grup për të drejtat e duhanpirësve ka planifikuar që t’a sfidojë këtë masë duke planifikuar një protestë në një plazh të Brooklynit, me parrullën “Tymosje në Park.”

XS
SM
MD
LG