Lidhje

Qytezat e peshkimit në Japoni


Qytezat e peshkimit në Japoni
Qytezat e peshkimit në Japoni

Cunami i madh i muajit mars rrafshoi zonat rurale të peshkimit në bregun verior të Japonisë në Paqësor duke shkatërruar çdo gjë. Nuk është e sigurt në se komunitetet në këto zona do të mund të rindërtohen përgjatë këtij bregdeti shkëmbor. Por siç njofton korrespondenti ynë Henry Ridgwell, tani pas pesë muajsh, ka shenja të mëkëmbjes ekonomike mes pirgjeve me rrënoja.


Këtu shtrihej dikur një qytezë. Në muajin mars cunami e shkatërroi atë. Tani ekskavatorët dhe kamionët po heqin çdo gjë.

RikuZenTakata është fshirë nga harta. Aty këtu ka shënja jete. Mes pirgjeve të rrënojave, një shitës ka hapur biznesin e tij nga një kasolle. Elektriciteti po riparohet.

Kjo është RikuZenTakata menjëherë pas cunamit. Mbi 2 mijë nga 23,000 banorët humbën jetën më 11 mars.

Tonët e pallogaritshëm të rrënojave po mblidhen, po riciklohen ose po hidhen. Por nuk është ende e qartë se çfarë, nëse dicka do ta zëvendësojë qytezën.

Orikawa Yuukichi ka parë qytezën ku u rrit të kthehet në metale të përdredhura dhe ashkla druri.

“Jemi shumë të zënë me pastrimin e rrënojave. Ka male të tëra me plehra. Gjithcka që bëjmë këto ditë është pastrim.”

Këtu në prefekturën Ivate në veri të Japonisë cunami hyri nga luginat e ngushta bregdetare duke e shumëfishuar forcën shkatërruese. Në disa uji depërtoi deri në 9 kilometra e gjysmë.


Qyteza Ofunato në mars ishte ndryshe.


Duket se zemrën industriale të qytezave si kjo e ka marrë deti. Banorët vendas nuk janë të sigurt nëse qytezat e tyre do të kenë të ardhme. Por disa banorë po përpiqen.

Falë pjesërisht ndihmës së organizatave bamirëse, tregu i peshkut në Ofunato është rihapur. Anijet e para me salmon dolën në ankand në fillim të muajit.

Kapiteni Abe është gati të niset nga ky port. Anija e tij - HanasaKimaru – u dëmtua rëndë nga cunami.

“Dhoma e motorrit u ça kështu që e çova në Shikoku. Më kushtoi gati 6,500 dollarë për ta rregulluar.”

Tani që anija është gati, Abe dhe ekuipazhi i tij po përgatiten të nisen për një udhëtim një mujor në det.

“Ishte një ndjenjë e shkëlqyer të filloje përsëri peshkimin. Jam peshkatar në shpirt, kështu që është kënaqësi të jem përsëri në anije. Por pasi peshkoj, nuk ka vend për të në këtë breg, nuk ka pika tregëtare apo frigoriferë kështu që e shkarkojmë peshkun në Hokkaida më në veri.”

Do të duhen shumë vite para se këto komunitete të rindërtohen. Peshkatarë si kapiteni Abe besojnë se shpresa e vetme për mëkëmbje ekonomike është shfrytëzimi i oqeanit që i solli këto shkatërrime.

XS
SM
MD
LG