Lidhje

SHBA: Preferancat racore për pranimet në universitete


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjoi argumentet e palëve për një rast gjyqësor që kundërshton praktikën e universiteteve publike për të marrë në konsideratë racën si një prej faktorëve të pranimit. Gazetari Chris Simkins i Zërit të Amerikës, na sjell më shumë hollësi në lidhje me një prej temave më të debatueshme dhe delikate: racën dhe drejtësinë.

Jashtë Gjykatës së Lartë këtu në Uashington njerëzit janë mbledhur për të shprehur opinionin e tyre. Gjykata e Lartë po merr një vendim nëse shkollat mund ta marrin në konsideratë racën si faktor pranimi në universitete. Disa prej tyre, si studentja e Universitetit të Texasit Jasemine Kyles, thotë se raca është e rëndësishme për të krijuar një organizëm studentor të larmishëm.

“Sapo të përfundojmë shkollën ne do të dalim në një botë ku çdokush nuk është si ju, nuk mendon si ju. Ne e kemi këtë lloj ndjeshmërie që në klasë, kështu që kur dalim në ekonominë globale ne e dimë se çfarë kemi përballë”.

Çështja përfshin rastin e Abigail Fisher-it, një grua e bardhë së cilës i ishte mohuar e drejta për t’u pranuar në Universitetin e Texasit, në vitin 2008. Ajo dhe mbështetësit e saj pretendojnë se ajo ka rezultate më të larta se studentët e tjerë që u pranuan, por ra viktimë e diskriminimit racial.

“Raca dhe etnia nuk duhet të merren parasysh kur aplikon për në Universitetin e Texasit.”

Universiteti i Texasit e ka përdorur racën si faktor në rreth 20 përqind të pranimeve për të garantuar sa më shumë larmi në klasa. Preferencat racore praktikohen nga më shumë se 100 kolegje dhe universitete.

Walter Weber është këshilltar me Qendrën amerikane për Ligj e Drejtësi. Ai thotë se kolegjet dhe universitete nuk duhet të përdorin preferencat racore në pranimin e studentëve.

“Administrata e Universitetit të Texasit e ka pranuar se në vendimarrjet e tyre ata marin për bazë racën. Qëndrimi ynë është që raca nuk duhet të marret në konsideratë, vendimi duhet të bazohet tek meritat e çdo kandidati”.

Josh Civin, avokat pranë organizatës kombëtare për përparimin e njerëzve me ngjyrë nuk është dakort:

“A munden universitetet të kenë të gjitha mjetet e duhura në një strukturë të përgjithshme për të siguruar që studentët e të gjitha kulturave të ndryshme dhe racave të ndihmojnë në një mjedis mësimor të larmishëm? Ne mendojmë se kësaj strukture nuk duhet t’i hiqet asnjë element pasi kjo është e rëndësishme për të ardhmen tonë si shoqëri dhe si demokraci”.

Në vitin 2003, gjykata e gjeti si jo kushtetues preferencën racore në pranimet e studentëve në nivel kolegji në Universitetin e Miçiganit sepse, sipas vendimit të gjykatës, një praktikë e tillë pranimesh ishte e barazvlershme me një sistem kuotash. Por gjykata e pranoi praktikën e pranimit në fakultetin e drejtësisë në këtë universitet, që merte në konsideratë pakicat, pasi kjo ishte vetëm një prej faktorëve në pranimin e kandidatëve.
Por tani gjykata përbëhet nga anëtarë më konservatorë.

Analisti i Institutit Cato, Ilya Shapiro thotë se kjo shumicë konservatore mund të jetë çelësi i vendimit të pritshëm.

“Mendoj se universiteti do ta humbasë çështjen kësaj rradhe. Kryetari i Gjykatës Roberts dhe gjykatësit Kenedy, kanë patur në kaluarën qëndrime të forta kundër preferencave raciale”.

Analistët thonë se Gjykata e Lartë duhet të vendosë në se do të sqarojë kufijtë e preferencave racore në pranimet në universitete apo elimonimin e tyre. Ky do të ishte një vendim gjithëpërfshirës, i cili do të minonte praktikat e pranimit që e kanë zanafillën në vitet 1960.
XS
SM
MD
LG