Lidhje

Lumi Radika, debatet përfshijnë politikën në Tiranë

  • Armand Mero

Kryeministri Rama në Twitter: Shumë zhurmë për asgjë. Kryetari i opozitës Basha kundërpërgjigjet në Facebook: Kështu tha Rama edhe për armët kimike. Javën e ardhshme interpelanca në parlament me ministrin e Jashtëm

Në Shqipëri mundësia e devijimit të rrjedhës së lumit Radika në Maqedoni është përfshirë edhe në debatet politike. Parlamenti në hapje të sesionit të ri mbrëmë, vendosi që në seancën e javës së ardhshme të organizojë interpelancën me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, pas kërkesës së LSI-së. Në një postin në Twitter kryeministri Edi Rama e cilësonte debatin “shumë zhurmë për asgjë”. Ndërsa në Facebook, kreu i opozitës Lulzim Basha do i kundërpërgjigjej duke shkruajtur se të njejtën gjë zoti Rama kishte thënë edhe për armët siriane
Një projekt i mundshëm të Maqedonisë për ndërtimin e një hidrocentrali duke devijuar rrjedhën e lumit Radika e cila furnizon Drinin e zi, një burim i rëndësishëm i kaskadës energjitike të Fierzës në veri të Shqipërisë, po ushqen një debat në rritje në Tiranë. Ai ka përfshirë edhe nivelet më të larta politike, që ndërhynë në mbrëmje përmes rrjeteve sociale. Kryeministri Edi Rama, zgjodhi Twitter-in duke shkruar: “ ‘Lumi Radika’ shumë zhurmë për asgjë!” Më tej ai sqaron telegrafikisht me tre pika: “1. S’ka projekt. 2. S’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm. 3. S’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë”, shkruan zoti Rama në “Twitter”.

Kreu i opozitës do të zgjedhë pak më vonë Facebook-un për t’iu kundërpërgjigjur kryeministrit. “Qytetarët e detyruan më së fundmi Ramën të reagojë për lumin e Radikës”, shkruan zoti Basha, ndërsa më pas ironizon kur shprehet se “Shumë zhurmë për asgjë tha Rama dhe për armët kimike”, shkruan kryetari demokrat duke shtuar: “Qeveria të bëjë transparencë para popullit dhe parlamentit për këtë çështje”.

Dhe nuk është vetëm opozita që kërkon transparencë. Qëndrim nga qeveria kërkon edhe aleati kryesor i socialistëve, LSI-ja. Gjatë ditës së djeshme, kryetari i grupit të saj parlamentar Petrit Vasili paraqiti kërkesën për interpelancë me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati: “Mospasja e asnjë sinjali të ndryshimit të qëndrimit nga autoritetet maqedonase lidhur me këtë çështje si edhe nga mungesa e shpjegimeve dhe informacioneve nga qeveria shqiptare lidhur me ndjekjen që ajo i ka bërë problemit apo me planin që ajo ka për ta ndjekur çështjen deri në fund, grupi i deputetëve të LSI-së kërkojnë këtë interpelancë urgjente në mënyrë që të njihen më mënyrën se si kjo çështje kaq e rëndësishme dhe me ndjeshmëri të madhe publike është menduar të ecet më përpara, në mënyrë që transparenca dhe vënia e interesave të vendit mbi çdo gjë të prevalojë dhe të jetë e dukshme për secilin nga ne si deputet të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për qytetarët shqiptarë”.

Me herët edhe partia demokratike përmes deputetit të saj të Dibrës Roland Keta, kërkoi reagimin e qeverisë, duke folur për dëme të mëdha që do të sillte sipas tij realizimi i projektit maqedonas: “Ky devijim sjell dëme të pallogaritshme për territorin dhe jetën e më shumë se 20 mijë banorëve të Dibrës së Madhe, të cilët janë në mazhorancë shqiptarë. Por gjithashtu, sjell dëme të mëdha jo vetëm ekologjike por dhe ekonomike, edhe në rrethin e Bulqizës dhe Dibër”.

Ndërkohë sipas LSI-së, projekti është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare dhe ato rajonale: “Projekti i Fushës së Lukovës është qartësisht në kundërshtim me të gjithë kornizën ligjore ekzistuese ndërkombëtare për çështjet e Rrjedhave Ujore dhe Zonave Ujëmbajtëse Ndërkufitare, por jo vetëm. Dhe ky projekt është në kundërshtim edhe me marrëveshjen “Drini : Një Vizion Strategjik i Përbashkët”, e firmosur ndërmjet Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit te Zi, në lidhje me basenin e Drinit në vitin 2011”.

I pyetur për këtë cështje gjatë ditë, ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri deklaroi se nuk ka asnjë projekt zyrtar që t’i jetë dorëzuar palës shqiptare. “Ne presim që të shikojmë projektin nga ana teknike dhe patjetër, nëse ka impakt mbi pasuritë e këtij vendi, padiskutim që qeveria shqiptare do të mbajë qëndrimin në përputhje me marrëveshjet dhe me interesat e këtij vendi e asnjë nuk duhet ta paragjykojë apo të luajë politikisht me këtë gjë”, tha zoti Gjiknuri.

Edhe ekspertët e shohin me shqetësim realizimin e këtij projekti, jo vetëm për dëmet ekonologjike, por edhe për pasojat mbi burimet energjitike të vendit. Ndërsa grupe të shoqërisë civile janë aktivizuar sërish duke protestuar e duke kërkuar reagimin e qeverisë shqiptare në mënyrë që një projekt i tillë të mos mund të realizohet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG