Lidhje

Radiografia e shpeshtë e dhëmbëve lidhet me kancerin në tru

  • Astrit Lulushi
  • Zëri Amerikës

Radiografia e shpeshtë e dhëmbëve lidhet me kancerin në tru

Studimi i ri sugjeron se radiografitë e dhëmbëve tek fëmijët mund të krijojnë probleme për shëndetin më vonë. Dhe prindërit mund të jenë veçanërisht të shqetësuar. Por disa ekspertë të shëndetësisë ngrenë pyetje mbi metodologjinë e studimit.

Nëse mendohet se ndeshja e shpeshtë me rreze, si në rastin e radiografive të dhëmbëve, është e rrezikëshme, studimi thotë se ka arsye për t'u shqetësuar. Radiografitë e shpeshta të dhëmbëve tek fëmijët mund të kenë lidhje me kancerin në tru në moshë të rritur. Studimi thotë se tumorët e krijuar nga ky faktor nuk janë malinjë, por ushtrojnë presion në tru dhe shkaktojnë paaftësi.

Shkencëtarët shqyrtuan historinë dentare të 1 mijë e 400 pacientëve me tumor në tru. Në të njëjtën mënyrë ata vepruan edhe me një numër të barabartë personash të shëndetshëm.

Dhe rezultatet treguan se personat me tumor në tru mbanin mend se kishin kryer dy herë më shumë radiografi të dhëmbëve para moshës 10 vjeç.

Megjithatë, disa ekspertë të shëndetësisë e kritikojnë këtë lloj metodologjie që mbështetet në kujtesë. Ata thonë se shumë studime kanë treguar se personat e sëmurë janë më të prirur të kujtojnë episode nga historia e tyre mjekësore sesa personat e shëndetshëm.

Gjithësesi, ekspertët këshillojnë, veçanërisht dentistët të mos harrojnë se radiografitë duhet të kryen vetëm kur janë të nevojëshme për diagnostikim dhe trajtim. Shoqata amerikane e dentistëve në një deklaratë të saj thotë se kryerja e radiografive të dhëmbëve duhet të bazohet edhe në moshën e pacienteve dhe historinë e tyre dentare. Për shembull një fëmijë mund të ketë nevojë për radiografi të dhëmbëve një herë në 1 deri 2 vjet - një i rritur i shëndetshëm pa probleme dentare, jo më shumë se 1 herë në 2 deri 3 vjet.

Shoqata Amerikane e Dentistëve thekson se dozat e rrezeve X në të kaluarën kanë qenë shumë më të larta sesa sot..dhe shton se radiografitë vazhdojnë të jenë të nevojëshme për diagnostikimin e dëmtimeve, infeksioneve dhe problemeve të tjera dentare.


A parandalon Omega-3 shtesë goditjet në zemër?

Shumëkush ka parë reklama rreth acideve yndyrorë Omega-3. Por a e ndihmojnë ato shëndetin e zemrës? Prej kohësh, shkencëtarët kanë besuar se Omega-3 që gjendet në peshk është e mirë për shëndetin kardio-vaskular.

Por një studim i ri në Archives of Internal Medicine, pas një shqyrtimi të shëndetit të rreth 20 mijë pacientëve të përfshirë në 14 studime të mëparëshme, konstatoi se tek pacientët të cilët kishin pësuar një goditje në zemër – acidet yndyrore Omega-3 në formë tabletash nuk kishin mundur të parandalonin një goditje të dytë. Në fakt, autorët e studimit vunë re se këta pacientë nuk kishin pasur asnjë lloj përfitimi nga Omega -3 shtesë.

Megjithatë, ekspertët vazhdojnë të rekomandojnë një dietë të pasur me Omega-3 duke ngrënë peshk të paktën 2 herë në javë, si për popullatën e përgjithëshme edhe për personat me sëmundje kardio-vaskulare.

Një dietë e tillë ofron acide yndyrore Omega-3 dhe gjithashtu mund të zëvendësojë burimet me proteina më pak të shëndetëshme, si ato që përmban mishi i kuq.


Operacion plastik për trajtimin e migrenës

Gazeta The Wall Street Journal kishte këto ditë një artikull mbi trajtimin e migrenës nëpërmjet një menyre jo të zakonshme.

Miliona vetë vuajnë nga kjo dhimbje kronike e kokës, dhe disa prej tyre tani i nënshtrohen operacionit plastik – jo që të duken më mirë, por të ndjehen mirë.

Sipas statistikave, 36 milionë amerikanë vuajnë nga migrena dhe arsyeja pse gratë preken 3 herë më shumë sesa burrat, nuk dihet.

Njerëzit kanë provuar mënyra të ndryshme për trajtimin e migrenës, duke filluar nga dieta, terapia fizike dhe të gjitha ilaçet – të vjetra e të reja – që dalin në treg, por në shumicën e rasteve, pa ndonjë efekt.

Kjo mund të jetë edhe një asrye që sa herë njoftohet mbi një mënyrë të mundshme trajtimi, sado jo-konvencionale, lajmi tërheq vemendjen, shpresat për shpëtim ringjallen dhe personat me migrenë duan t’a provojnë.

Kirurgjia plastike ka kohë që përdoret për përmirësimin e cilësisë së jetës, përfshi ndryshimet kozmetike e deri te rikonfigurimi i trupit apo fytyrës së dëmtuar nga aksidente të ndryshme.

Por tani kirurgjia plastike ka filluar të përdoret edhe për trajtimin e migrenës – një ngritje e lehtë e lëkurës mbi vetulla ose në ballë, jep efekte të dëshirueshme. Dr. Jay Austen, Shefi i Krirugjisë Plastike në spitalin e përgjithshëm në Massachusets, thotë se fillimisht personat që vuanjnë nga migrena trajtohen me ‘botox’ dhe kur tregojnë përmirësime, atëherë shikohen si kandidatë për operimin e migrenës.

Kjo ndërhyrje quhet “operacion për dekopresimin e nervit”, pasi mjekët besojnë se migrena shkaktohet nga fijet nervore që shtypen ose kompresohen nga inde ose muskuj. Kur këto fije nervore në ballë a mbi vetulla çlirohen kirurgjikisht, dhimbjet e kokës mund të ikin përgjithmonë. Një tjetër efekt i kënaqshëm që mendohet se sjell ky lloj operimi është edhe ndryshimi kozmetik – pacienti/pacientja duken më të rinj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG