Lidhje

Radiot e Hong Kongut në përpjekje për të mbijetuar


Radiot e Hong Kongut në përpjekje për të mbijetuar
Radiot e Hong Kongut në përpjekje për të mbijetuar

Megjithëse jemi në epokën e komunikimit me internet dhe me mediat shoqërore, aktivistët në Azi ende e shohin radion si një mjet të rëndësishëm për të përhapur mesazhin e tyre. Por radioja në Azi përballet me shumë sfida, sidomos vështirësi teknike dhe censurë. Në Hong Kong, për shembull, stacionet e radios përballen me kufizime teknike dhe politike për të arritur audiencën.

Çdo vit më 1 korrik, dhjetëra mijëra njerëz në Hong Kong marshojnë për të shprehur shqetësimin ndaj sundimit kinez. Por ata kanë pak mundësi për t’i shprehur ankesat e tyre përmes radios.

Albert Cheng është komentator politik dhe ish deputet i Hong Kongut. Në vitin 2004, stacioni i tij ndërpreu një program mjaft të ndjekur me telefonata nga dëgjuesit.

"Programi u mbyll për shkak të vetë-censurimit, sepse dukej sikur fyente disa grupe të caktuara kinezësh."

Zoti Cheng kërkon të shtojë numrin e kanaleve të radios në Hong Kong duke e nxitur qeverinë të krijojë kushtet për transmetimet dixhitale. Teknologjia lejon më shumë transmetime në një frekuencë të vetme.

"Ne kemi një problem teknik, sepse Hong Kongu është i rrethuar me male. Kemi vetëm shtatë stacione FM që zënë 49 frekuenca për shkak të faktorit gjeografik".

Autoritetet në Hong Kong thonë se shpresojnë që në të ardhmen të ketë më shumë frekuenca për të përmbushur kërkesat për transmetime dixhitale. Por të tjerë thonë se kufizime të tilla për radion janë më shumë se sa thjesht një problem teknik.

Këta aktivistë të të drejtave në Hong Kong thonë se qeveria po përpiqet të kontrollojë çdo gjë që transmetohet, duke ua dhënë frekuencat vetëm bizneseve të mëdha me mjete të konsiderueshme financiare.

"Ata kërkojnë 24-orë në ditë, shtatë ditë në javë transmetim. Ose të japin një minimum orësh transmetimi, duke lejuar të investojnë vetëm ata wqë kanë para. Kjo urdhëresë mund t’u shërbejë atyre si mjet për të kontrolluar se kush do t’i përdorë valët..."

Dominik Fok Wai-pong drejton radion FM101 nga një ish-fabrikë e lagjes Kowloon. Kjo është një e ashtuquajtur radio pirate që përdor një mini-antenë të instaluar në çati për të transmetuar në një frekuencë të zënë nga një tjetër stacion.

Dominik Fok WAI-PONG, Aktivist i të drejtave

"Sinqerisht, është e paligjshme, sipas rregulloreve dhe kodit në Hong Kong. Ne nuk aplikojmë për liçencë dhe nuk duam ta bëjmë këtë. Është një lojë e mosbindjes civile. "

Stacioni ka një studio të vogël, ku disa vullnetarë regjistrojnë programe për çështjet politike apo shoqërore në Hong Kong dhe në Kinë.

Ndonëse liria e shtypit ekziston në Hong Kong, një territor i qeverisur nga Kina, Kina kontinentale ka një sistem të sofistikuar censure që nuk lejon transmetimet e pamiratuara nga qeveria, duke përfshirë edhe Zërin e Amerikës.

Asnjë media tjetër nuk e mbuloi këtë ngjarje, përveç FM101. Stacioni, e transmetoi këtë program edhe në Kinë me anë të një faqeje interneti për të shmangur Murin e Madh, të ashtuquajtur The Great Firewall të Kinës, i cili pengon transmetimin në internet të stacionit FM101.

Dominik Fok WAI-PONG, Aktivist i të drejtave
"Ne u përqëndruam në çështjet e Kinës, sidomos te të drejtat sindikaliste, përzjerja e politikës dhe biznesit në favor të të pasurve, pasi nëse në Kinë nuk ka njeri që të thotë të vërtetën, atëherë ne nuk do ta dimë se çfarë ndodh atje. Dhe, nëse nuk dimë se çfarë ndodh atje, nuk dimë se çfarë do të ndodhë këtu. "

Ish spikeri i radios, Albert Cheng thotë se shumica e mediave kryesore nuk interesohen për shqetësimet e këtyre njerëzve për shkak se pronarët e këtyre mediave përpiqen të mbrojnë interesat e veta të biznesit në Kinë.

"... Të gjitha organizatat e mediave në Hong Kong janë në pronësi të biznesit dhe konglomerateve të mëdha. Ata të gjithë kanë biznese në Kinë. Natyrisht ata nuk duan ta kritikojnë Kinën, sepse ajo mund të ndikojë në biznesin e tyre. "

Planet e zotit Cheng për transmetime dixhitale parashikojnë disa kanale radioje për banorët përreth, duke përfshirë edhe një kanal për emigrantët. Pavarësisht nga këto plane, ai pranon se nuk e di nëse do të jetë në gjendje ta mbajë stacionin të pavarur.

"Shpresoj se do të bëhemi më të pavarur. Unë kam edhe aksionerët e mij, të cilët janë biznesmenë të mëdhenj. Shpresoj se ata do të më lënë të qetë. Unë shpresoj, por kjo ende nuk dihet, asnjëherë nuk i dihet. "

Stacioni i zotit Cheng pritet të fillojë të transmetojë drejtpërdrejt në vitin 2012.

XS
SM
MD
LG