Lidhje

Greqia: studim për linjë hekurudhore me Shqipërinë


Këshilli i Rajonit të Epirit, në Greqinë Veriore, ka shpallur konkurimin për këshillim teknik dhe studimin mbi zhvillimin e ndërtimit të rrjetit hekurudhor mes këtij rajoni dhe Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare greke kompania që do të studiojë ndërlidhjen e dy rrjeteve hekurudhore mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të duhet të bashkëpunojë edhe me autoritetet shqiptare të hekurudhave .

Ndërkohë, financimi për këtë proces paraprak tashmë është shpallur nga Qarku dhe është njoftuar për prokurim. Burimet mediatike greke kanë pohuar se ende nuk ka një interesim nga hekurudhat shqiptare për këtë projekt, por mes të dy vendeve vitet e fundit ka pasur vullnet pozitiv në këtë drejtim.

Ngritja e rrjetit hekurudhor mes Greqisë dhe Shqipërisë, në kuadër të projekteve të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, do t`i ndihmonte jo vetëm përmirësimit të lëvizjes së mjeteve dhe mallrave, por edhe nxitjes së Turizmit. Sipas zyrtarëve të Prefekturës së Janinës, komiteti i përbashkët Shqipëri – Greqi, në parim, e ka miratuar këtë projekt dhe mbetet të hidhen hapa konkretë për realizimin e tij.

Pak vite më parë në nivele teknike në kuadër të rrjeteve hekurudhore ishte diskutuar edhe lidhja e Pogradecit dhe Korçës, në anën shqiptare, me zonën e Kozanit dhe më tej Selanikut, në anën greke përmes rrjetit hekurudhor. Ndërsa Greqia ka sot një sektor efikas të transportit hekurudhor, në Shqipëri ky sektor ka degraduar dhe aktualisht ndodhet në një krizë të thellë, gati në ndërprerje të plotë.

Hekurudhat shqiptare në krizë

Prej vitit 1985 Shqipëria lidhej me rrjetin hekurudhor ndërkombëtar vetëm nëpërmjet linjës Shkodër-Hani i Hotit-Podgoricë të Malit të Zi. Kjo linjë u dëmtua dhe doli jashtë përdorimit gjatë trazirave të vitit 1997 dhe nuk funksionoi deri në vitin 2002 , kur megjithëse u bë rilidhja e saj me Malin e Zi, sot ka disa linja të dëmtuara e jashtë funksionimit.

Sipas të dhënave të hekurudhës shqiptare, në vitin 1990 ky sektor kishte në gjendje: 2300 vagonë mallrash dhe 114 vagonë udhëtarësh mbi dy dekada të vjetra, ndërsa tani kjo shifër numërohet me gishta.

Ndonëse sektori hekurudhor në Shqipëri kishte një traditë për shkak të investimeve italiane dhe austriake që në vitet 1916-1920, deri në vitet 90-të si pjesë e kësaj trashëgimie funksionoi linja industriale me gjatësi 37 km që transportonte prodhimet e Minierës së Bitumit nga Selenica në Vlorë.

Gjatë periudhës komuniste ritmet e ndërtimit të rrjetit hekurudhor u rritën falë kontributit vullnetar. Në fund të viteve 1990 ky rrjet përbëhej nga 730 km linja hekurudhore nga të cilat 447 km ishin kryesore njëkaluese, ndërsa pjesa tjetër degëzime industriale dhe linja dytësore. Pas viteve nëntëdhjetë, me përmbysjen e sistemit komunist ky sektor nuk njohu zhvillim për nje seri faktorësh.

Në vjeshtën e vitit 2008 Shqipëria humbi në Arbitrazhin Ndërkombëtar gjyqin me Kompaninë e njohur amerikane “General Electric” duke u detyruar të paguajë 10 milionë dollarë gjobë, si pasojë e prishjes së kontratës për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Firma amerikane “General Electric” e hodhi në gjyq shtetin shqiptar në korrik të vitit 2006, pasi qeveria “Berisha” rrëzoi kontratën e lidhur me të nga qeveria e mëprashme “Nano” për ndërtimin e linjës moderne hekurudhore Tiranë-Durrës.

Projekti përfshinte modernizimin e Hekurudhës “Tiranë-Durrës”, 38 kilometra, si dhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore 6 kilometra për të krijuar lidhje me aeroportin “Nënë Tereza”. Në korrik të vitit 2015 Ministria e Transportit njoftoi se kishte pranuar ofertën e dy kompanive për marrjen me koncesion të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë për 25 vjet, por edhe ky konçesion ngjalli polemika të forta mes pozitës dhe opozitës pasi një nga perfituesit ishte kompania e djalit të deputetes së partisë në pushtet Valentina Leskaj. Partia Demokratike ka kërkuar madje që zonja Leskaj të heqë dorë nga mandati i deputetes dhe kjo çështje pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

XS
SM
MD
LG