Lidhje

Raketa e Koresë së Veriut

  • Steve Herman

Analistët thonë se pamja nga afër e raketës së Koresë së Veriut në shtratin e nisjes dhe e satelitit që mendohet ta cojë atë në hapësirë i ka lejuar ata të nxjerrin konkluzione të reja rreth aftësive teknike të vendit të varfër. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman njofton nga Seuli.

Imazhet filmike dhe fotografike të marra nga media në Korenë e Veriut të atyre që Pheniani po i quan raketa Unha-3, u kanë dhënë analistëve të mbrojtjes dhe komunitetit të zbulimit një mundësi të re për të vlerësuar fazën e zhvillimit të raketave balistike të Phenianit.

Konkluzioni fillestar: Koreja e Veriut duket se ka bërë përparim serioz që nga përpjekja e dështuar tre vjet më parë për të kryer një nisje me tre faza dhe për të cuar një satelit në orbitë.

Në prill të vitit 2009 Koreja e Veriut u përpoq të niste një raketë balistike Taepodong-2, që besohet të ishte e stilit sovjetik me origjinë kineze e që duhej të nisej në tre faza. Faza e dytë dhe e tretë ranë në Oqeanin Paqësor, rreth 3 mijë e 800 kilometra nga vendi i nisjes, shumë larg objektivit të raketës.

Nënadmirali në pension Hideaki Kaneda i Forcës Vetëmbrojtëse Detare të Japonisë thotë se nuk ka dyshim se raketa e vendosur në shtratin Sohae të nisjes ka veti për t’u përdorur në manovra ushtarake.

Në një intervistë për kanalin NHK, zoti Kaneda, përmendi grupin e dukshëm të katër motorëve të raketës të vendosur në fazën e parë.


Kaneda e cilëson këtë fakt si shqetësues, pasi katër motorët në fazën e parë tregojnë pa dyshim se kjo raketë mund të shfrytëzohet si një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi, të aftë jo vetëm të arrijë Japoninë, por edhe Amerikën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes i Koresë së Jugut Kim Min-suk u pyet në lidhje me përparimet e dukshme të vërejtura gjatë kësaj jave.


Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes thotë se për shkak se zyrtarët e Koresë së Jugut nuk e vizituan qendrën, nuk janë në pozitë të komentojnë mbi aftësitë teknike të raketës së Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut thotë se faza e tretë e programit është për të çuar një satelit vëzhgimi në një orbitë veri-jug.

Edhe pse raketa Kwangmyongsong-3 e furnizuar me energji diellore do të kalojë mbi Korenë e Jugut në çdo orbitë, analistët nuk e konsiderojnë atë të jetë një satelit spiun, por në nivelin e satelitëve që studentët e kolegjeve në gjithë botën kanë qenë në gjendje të ndërtojnë vitet e fundit.

Në mesin e atyre që po studiojnë imazhet e reja të satelitit është menaxher i qendrës kërkimore të teknologjisë satelitore në Institutin e Avancuar të Shkencës dhe Teknologjisë në Daejung.

Kang Kyung-në thotë për Zërin e Amerikës se sateliti i Koresë së Veriut nuk duket se është ndërtuar për një periudhë afat-gjatë dhe as nuk është shumë i avancuar nga ana teknologjike.

Kang thotë se sateliti duket se është i aftë të marrë fotografi të thjeshta dhe video me rezolucion të ulët dhe t’i transmetojë ato në Korenë e Veriut.

Zyrtarët këtu thonë se Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Kwan-jin dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta, në një bisedë telefonike 30-minutëshe, të martën në mëngjes sipas kohës së Azisë, ranë dakort se lëshimi i planifikuar i raketës së Koresë së Veriut do të ishte një "provokim i rëndë." Të dy vendet janë ndër ata që e klasifikojnë raketën 30-metërshe një shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara që ndalojnë Phenianin të shfrytëzojë teknologjinë e raketave balistike.

Koreja e Jugut dhe Japonia janë duke premtuar se do të përpiqen të rrëzojnë raketën e Koresë së Veriut, nëse del nga kursi dhe kalon mbi territoret e tyre.

Koreja e Veriut ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare detare dhe të aviacionit se do të kryejë nisjen mes së enjtes në mëngjes dhe së hënës së ardhshme.

Zyrtarët në Korenë e Veriut thonë se nisja është planifikuar të përkojë për të shënuar 100 vjetorin e lindjes së themeluesit të vendit, Kim Il Sung.

Një shqetësim tjetër për bashkësinë ndërkombëtare është se imazhet satelitore të kohëve të fundit tregojnë për aktivitete në qendrat bërthamore të Koresë së Veriut. Kjo ka bërë që ushtria e Koresë së Jugut dhe zyrtarët e zbulimit të spekulojnë se Veriu mund të vazhdojë nisjen e raketës me testin e tretë bërthamor brenda muajve të ardhshëm.

Dy Koretë kanë mbetur teknikisht në luftë që prej një armëpushimi të vitit 1953, i cili ndali gjakderdhjen tre vjeçare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG