Lidhje

SHBA, shpërthen raketa në nisje


Në SHBA, një raketë komerciale pa pilot, që do të çonte furnizime në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, shpërtheu dje menjëherë pas nisjes. Incidenti ndodhi pasdite vonë në objektin e lëshimit të NASA-s në Ishullin Wallops të Virxhinias, në brigjet e Atlantikut.

Raketa Antares kishte vetëm disa sekonda që ishte lëshuar kur ndodhi shpërthimi. Ajo ra përsëri mbi shtratin e nisjes dhe u përfshi nga flakët.

Raketa, e ndërtuar nga Korporata e Shkencave Orbitale, mbante më shumë se dy ton mallra - ushqime, pajisje eksperimentale dhe furnizime të tjera për stacionin e hapësirës.

Frank Culbertson, është nën president i Koroporatës

"Megjithatë, diçka shkoi keq, dhe ne do ta gjejmë se çfarë ndodhi. Do të përcaktojmë shkakun dhe do ta korrigjojmë. Do të kthehemi përsëri këtu për të bërë një lëshim tjetër, shpresojmë në një të ardhme shumë të afërt. Por ne do të të bëjmë gjithçka për të garantuar se çdo gjë është e sigurtë," tha zoti Culbertson.

Nga aksidenti nuk pati viktima. Zyrtari i NASA-s William Gerstenmaier, thotë se furnizimet që do të dërgoheshin nuk ishin me rëndësi kritike për jetën e ekuipazhit të stacionit hapësinor.

Korporata e Shkencave Orbitale është njëra nga dy kompanitë private që ka kontraktuar NASA për të dërguar furnizime në orbitë, pasi flota e anijeve të saj të hapësirës u nxorr jashtë përdorimit në vitin 2011. Dy kompani të tjera, Space X dhe Boeing, kanë marrë kontrata për të dërguar astronautë në Stacionin e Hapësirës në vitin 2017.

Ky është aksidenti i parë në programin e fluturimeve komerciale të NASA-s.

Ndërkohë, një raketë ruse Soyuz me një anije hapësire Progres 57 u nis nga Kozmodromi Baikonur dhe pritet të ankorohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësisës gjatë ditës.

Anija po dërgon rreth 3 ton furnizime për ekuipazhin e stacionit.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës është një laborator kërkimor me vlerë prej 100 miliard dollarësh në pronësi të 15 vendeve. Ai ndodhet në orbitë 418 kilometra larg Tokës. Vazhdimi i funksionimit të tij varet nga misionet e furnizimit që dërgohen nga Toka.

XS
SM
MD
LG