Lidhje

Rama: Ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor

  • Arben Xhixho

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të takimeve që zyrtarët amerikanë zhvillojnë me udhëheqës nga vende të ndryshme, nesër zoti Rama takohet me zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Philip Reeker. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe Uashingtoni ka qënë vazhdimisht i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë të realizojë reformat e duhura për integrimet Euro-Atlantike. Zëri i Amerikës i morri këtë intervistë zotit Rama gjatë programit televiziv Ditari.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama fillimisht duam t’ju pyesim për takimin e nesërm në Departamentin e Shtetit. Çfarë do të diskutoni atje? Çfarë prisni nga ky takim?

Rama: Ka takim bëhet me ftesë të Departamentit të Shtetit dhe për mua është një kënaqësi e veçantë që në hapësirën e këtij takimi të mund të forcojmë komunikimin në funksion të interesave të përbashkëta, që janë intersa që lidhen drejtpërdrejt me mbarëvajtjen e punës në Shqipëri, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe me transformimin e jetës në Shqipëri në funksion të qytetarëve për një shtet funksional dhe në shërbim të standarteve demokratike.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, në kuadër të reformave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur synimin e saj madhor, integrimin në Bashkimin Evropian siç thatë edhe ju, duhet pjesëmarrja e të gjithë shoqërisë por kryesisht e dy forcave politike dhe angazhimi i tyre. Partitë e mëdha, pra PD-ja dhe PS-ja fajësojnë njëra tjetrën për ngecjen dhe bllokimin e procesit. A mendoni ju se Shqipëria do të jetë në gjendje që në fund të vitit të marrë statusin e kandidatit?

Rama: Unë besoj se pavarësisht se çfarë thonë palët, është shumë e qartë që integrimi në Bashkimin Evropian është një proces i cili zhvillohet mbi bazën e rekomandimeve të vetë Komisionit Evropian. Dhe rekomandimet e Komisionit Evropian janë të qarta. Opozita shqiptare e ka marrë përsipër të gjithë pjesën e vetë, ndërkohë që i takon qeverisë të marri përsipër pjesën e saj, e nëse në atë pjesë që ne e kemi marrë përsipër gjërat duken se po shkojnë më së miri pasi kemi krijuar kushtet për një konsensus të rëndësishëm në sallën e kuvendit, në pjesën që i takon cilësisë së qeverisjes që lidhet me luftën kundër krimit dhge korrupsionit, performancën e sistemit gjyqësor e kështu me radhë, duket se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Pra le të jemi të qartë, është e lehtë të fajësojmë njëri tjetrin, është e lehtë që në gjykimin e palëve të mbetemi te përcaktimi se të gjithë janë njësoj, por jo vetëm të gjithë nuk janë njësoj, por nuk kanë të gjithë njësoj të njejtën përgjegjësi. Është absolutisht e qartë që përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e punëve në një vend është përgjegjësia e qeverisë dhe barra kryesore për të shkuar drejt marrjes së statusi është përsëri e qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që Shqipëria të mos e humbasë për të tretën herë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit.

Zëri i Amerikës: Reforma zgjedhore duhej përfunduar në fund të shkurtit, por mandati është shtyrë tani për në fund të prillit. Ku i shikoni ju problemet më të mëdha, që dy forcat kryesore nuk po bien dakord për përfundimin e kësaj reforme?

Rama: Në tryezën e reformës zgjedhore ne kemi vendosur pikat ku mendojmë se duhet të fokusohen palët në funksion të asaj ç'ka ka konstatuar dhe pastaj rekomanduar misioni i OSBE/ODIHRit. Dhe në rast se në çështje si ato që lidhen me përmirësimin e sistemin zgjedhor mund të kemi mungesë dakordësie, bazuar në vullnetin politik të secilës palë, në çështje që lidhen me përcaktimin e rregullave të lojës dhe me adresimin e atyre problemeve që kanë shkaktuar gjithë ato situata, tërësisht të papëlqyeshme me zgjedhjet në Shqipëri, dhe kanë cënuar integritetin e tyre, është e domosdoshme që palët të gjejnë dakordësi, në rast se secila palë do vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush në këtë përpjekje i bie ndesh parimit të dakordësisë sigurisht që më pas është plotësisht i dyshueshëm për mungesë vullneti për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zëri i Amerikës: Një prej çështjeve që duket të jetë thembra e Akilit e reformës zgjedhore është pikërisht çështja e sistemit zgjedhor. A do të vazhdojë Partia Socialiste të këmbëngulë në ndryshimin e sistemit zgjedhor, gjë që maxhoranca e kundërshton?

Rama: Ne e kemi bërë të qartë, dhe unë e përsëris edhe përpara jush, që ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor, në funksion të dhënies vlerë të barabartë të çdo vote, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të një përfaqësimi më të drejtë të të gjitha forcave politike që marrin votën e shqiptarëve. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: A parashikoni ju që reforma zgjedhore të kthehet në një problem midis jush dhe aleatëve tuaj, të cilët kërkojnë një përfaqësim më të madh?

Rama: Me aleatët ne kemi dakordësi të plotë dhe në tryezën e reformës zgjedhore ne flasim edhe me zërin e tyre.

Zëri i Amerikës: Për sa i përket çështjes së 21 Janarit – një ngjarje që tronditi shoqërinë shqiptare - dhe më konkretisht lidhur me organizimin e protestës, Ambasadori amerikan në Shqipëri, në një intervistë të para disa ditëve, theksoi se ka mospërputhje të konsiderueshme midis mënyrës së konceptimit të ngjarjes nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe interpretimit të saj nga Partia Socialiste. Si do t’i përgjigjeshit ju këtij komenti të Ambasadorit, a ndjeni ju përgjegjësi për rrjedhën e ngjarjeve të 21 janarit?

Rama: Unë mendoj se faktet flasin më mirë se sa çdo koment që unë mund të bëj. 132 persona ndër protestuesit janë ndaluar, janë hetuar, janë gjykuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë, në një proces i cili është, deri më sot, tërësisht i pabarabartë, sepse ndërkohë që protestuesit e kanë pasur të gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit si pjesë të një procesi nga ku kanë dalë edhe të dënuar për shkeljen e ligjit, nga ana tjetër vrasësit dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të jenë të pagjykuar dhe të pandëshkuar, as moralisht, as politikisht dhe, aq më keq, as ligjërisht. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe për asnjë moment, në asnjë rast, nuk i është kundërvënë hetimit dhe gjykimit të të gjithë atyre që ishin pjesë e një proteste që fatkeqësisht degradoi në dhunë.

Zëri i Amerikës: Hetimet për përdorimin e forcës, më 21 Janar, janë në vazhdim dhe ndoshta është shpejt të thuhet se çfarë pasojash do të ketë dhe nëse do të ndëshkohet njeri apo jo. Pyetja më konkretisht ishte: A kishte synim Partia Socialiste atë ditë të organizonte një protestë të dhunshme dhe të provokonte forcat e rendit? Ky ishte edhe thelbi i komentit të Ambasadorit amerikan.

Rama: Absolutisht jo. Për më tepër, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se të gjthë ata që janë hetuar për një dyshim të tillë janë hetuar nga policia e shtetit, e cila ka arritur në përfundimin se nuk ka pasur asnjë provë të vetme që të mund të vërtetojë hipotezën se pas shprehjes së dhunshme të protestës ka qëndruar një plan i Partisë Socialiste apo PS si e tërë. Dhe më lejoni të shtoj këtu se, për të marrë dëshmi që do të mund të çonin në këtë drejtim, njerëzit e ndaluar janë rrahur barbarisht në komisariatet e policisë, dhe kjo është e provuar edhe nga raporti i Komitetit të Helsinkit ashtu sikundër edhe nga vetë avokati i popullit.

Zëri i Amerikës: Koha për zgjedhjen e Presidentit po afron dhe një prej emrave të përmendur është ai i ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Partia Socialiste është shprehur se kërkon një President konsensual. Nga ana tjetër, zoti Nano është ofruar dhe ka shfaqur ambicie të jetë kandidat mbi palët. A do ta mbështesë PS kandidaturën etij?

Rama: Qëndrimi i PS-së është i qartë dhe transparent. Ne mendojmë se Shqipërisë i duhet një President i cili të jetë garant i unitetit kombëtar dhe padyshim garant i atij zinxhiri institucionesh që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Presidentin e Republikës. Për këtë duhet një proces, duhet një dakordësi mes palëve, për të vënë interesat kombëtare dhe interesat e integrimit të vendit – sepse ky është edhe një test për pjekurinë e klasës politike dhe të vetë vendit në një proces si ai i integrimit – mbi interesat e palëve. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë, ne nuk hyjmë në emra dhe nuk paragjykojmë askënd, sepse besojmë që emrat duhet të jenë rezultat i procesit dhe jo procesi të jetë funksion i emrave.

Zëri i Amerikës: Zakonisht, në gazetari, kur pyetet për një emër konkret dhe nuk ka as mohim e as pohim, më tepër përgjigja anon drej pohimit. Pra, ju nuk e përjashtoni mundësinë që Partia Socialiste të mund ta mbështesë këtë kandidaturë.

Rama: E përsëris që ne duam që Shqipëria të ketë një President të pranuar dhe të votuar nga të gjitha palët. Ky është vizioni ynë dhe ky është qëllimi ynë. Se sa kjo është e realizueshme duhet të pyesni edhe palën tjetër, pasi ne mund të flasim vetëm në emër të njërës palë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, falemnderit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG