Lidhje

Strategji e re ndaj korrupsionit: më pak ligje dhe më shumë zbatim ligji


Qeveria shqiptare publikoi sot për herë të parë projektin e saj të strategjisë kundër korrupsionit në një takim të përbashkët me OSBE dhe UNDP. Elementët kryesorë të kësaj strategjie, që po analizohet edhe në komisionet parlamentare, janë rritja e transparencës për veprimtarinë shtetërore, këshillimet me publikun për hartimin e projekt-ligjeve, vendimeve dhe rregulloreve, forcimi i kontrolleve mbi konfliktin e interesit dhe deklaratat e pasurisë. Një pikë e vecantë në këtë strategji është edhe forcimi i kontrolleve ndaj financimit të partive politike.


Ligjet antikorrupsion do të studiohen me kujdes për t'u përmirësuar, por, sipas kryeministrit Edi Rama, lufta ndaj korrupsionit në energji, në prona e toka, në arsim, në miniera dhe në fusha të tjera do të bëhet duke zbatuar ligjet dhe jo duke prodhuar çdo ditë ligje të reja. Kryeministri Edi Rama tha se reforma në drejtësi është bërë tashmë një domosdoshmëri, që kërkon edhe përfshirjen e njerëzve të gjyqësorit, por kryesorja mbetet që korrupsioni të luftohet me ndryshimet në sistem në çdo sektor.

Bashkimi Europian, OSBE, OKB dhe partnerë të tjerë perëndimorë i kanë kërkuar Shqipërisë që të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të shpejtuar më tej në rrugën e integrimit europian. Komisionet parlamentare po diskutojnë strategjinë e re antikorrupsion, kur ende nuk është mbyllur debati mes deputetëve lidhur me ndëshkimin e korrupsionit nga gjykata e krimeve të rënda. OSBE dhe programi OPDAT i SHBA iu drejtuan parlamentit me disa vërejtje lidhur me projekt-amendamentet, që trajtonin si krime të rënda edhe disa veprime korruptive më të thjeshta, duke shprehur dyshimin se mund të abuzohej me një trajtim të tillë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG