Lidhje

Rama: Po armëve siriane vetëm me garanci

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha sot pasdite se një përgjigje pozitive ndaj mundësisë së shkatërimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë do të jetë e lidhur me garancitë e plota se një operacion i tillë nuk do të cënojë integritetin e vendit qoftë në aspektin jetik, qoftë në atë mjedisor apo të ardhmes së vet

“PO-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje nga ku të jetë e qartë për të gjithë se Shqipëria do të dali jo vetëm me kokën lart dhe e fituar, por edhe më e pastër sec është sot. Një moment i tillë mund të jetë një shans jo vetëm për të bërë detyrën tonë, por edhe për të dalë nga ky operacion më të fortë e më të pastër”, deklaroi zoti Rama.


Kryeministri Rama, i kritikuar se nuk po bën transparencën e duhur për këtë çështje, tha se njerëzit kanë nevojë për siguri të plotë, për të gjykuar mbi një marrëveshje konkrete e për të dëgjuar një arsyetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria dhe nga pikëpamja mjedisore nëse përfshihet në një operacion të tillë. Ai dhe një herë nënvizoi se kontributi dhe pozicionimi i Shqipërisë krah SHBA-ve është i lidhur me interesin e cdo shqiptari dhe familjeve në vend.

Qëndrimi i sotëm i zotit Rama, i cili vë theksin te garancitë e një operacioni të mundshëm të shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, është i ndryshëm nga ai i djeshmi ku ai i mëshoi më së shumti, faktit se ende nuk bëhej fjalë për një situatë kur do të duhej të merrej një vendim.

Pasnesër, organizata për ndalimin e armëve kimike, e cila po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara pritet të bëjë publik planin e shkatërrimit të arsenalit sirian, të shoqëruar ndoshta dhe me vendet që do të përfshihen në këtë operacion.

XS
SM
MD
LG