Lidhje

Tiranë: PS fton PD në forum dialogu


Qeveria dhe opozita shkëmbyen edhe sot ftesa dhe akuza mbi reformën në drejtësi, ndërsa përfaqësues të Bashkimit Europian bënë të ditur se miratimi i saj me mirëkuptim brenda pranverës është një pikë kyçe për hapjen e negociatave për antarësim.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një ftesë drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës për të ngritur një forum dypalësh, pa praninë e ndërkombëtarëve.

Ai theksoi se ky forum nuk do të zëvendësojë institucionet ekzistuese, por do të jetë një mekanizëm më shumë komunikimi, ku palët do të diskutojnë sy më sy për tema të dakordësuara më parë.

Ftesa erdhi një ditë pasi komisioneri i BE-së për zgjerimin Johanes Hahn takoi në Tiranë kryetarin e PS, Edi Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, iu përgjigj ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës.

Zoti Basha tha në letrën e tij të hapur se ftesa për dialog është një hap i vonuar, por mbetet i gatshëm për bisedime për çështjet më të rëndësishme.

“Nuk mund të takohemi për të diskutuar opsione antikushtetuese, sepse kështu antikushtetutshmëria mund të vazhdojë si normalitet”, - tha zoti Basha.

Ai kujtoi se për dy vjet shumica ka cënuar Kushtetutën, shtetin ligjor dhe marrëveshjet politike si ligjet për Nëpunësin Civil, Reformën Territoriale, K.L.D.-në, Gjykatën e Lartë, atë Administrative, për R.T.SH.-në.

Socialistët, tha zoti Basha, po pengojnë zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014 për dekriminalizimin, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për komisionet hetimore.

“Opozita ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dialog të nivelit më të lartë politik për Reformën në Drejtësi, por ju keni qenë kundër” - tha zoti Basha, duke theksuar se ishte gati për një takim mbi dekriminalizimin, zgjedhje të lira, reformën në drejtësi dhe një reformë të plotë kushtetuese.

Kryeministri Rama shkroi në rrjetet sociale që nuk e kishte kuptuar nëse përgjigja e opozitës ishte pozitive apo negative.

Po sot, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e parlamentit, duke kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ata mbanin në dorë një parrullë ku kishin shkruar “Jashtë kriminelët nga Parlamenti”.

Nga ana tjetër, deputetja socialiste Valentina Leskaj dorëzoi në parlament një deklaratë, ku shpreh gadishmërinë për të dorëzuar mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese pas komenteve të opozitës, se ajo dhe dy deputetë të tjerë kanë shkelur kushtetutën me veprimtari, që bien ndesh me detyrën e deputetit.

Deputetët e Partisë Socialiste deklaruan se protesta e opozitës, duke bllokuar foltoren ishte e pavend, sidomos në çastet kur drejtuesit e partive kryesore po shkëmbenin ftesa për dialog dhe takime.

Reformimi i sistemit të drejtësisë është një nga kërkesat kryesore të opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar.

Pas një pune disamujore të një komisioni të posaçëm parlamentar, paketa e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore u shqyrtua edhe nga Komisioni i Venecias i Bashkimit Europian.

Miratimi i tyre megjithatë, ende nuk është i lehtë, sepse forcat kryesore politike ende kanë mospajtime për disa detaje të fundit.

SHBA dhe BE po u kërkojnë autoriteteve shqiptare të rregullojnë sa më parë gjendjen në sistemin e drejtësisë i kritikuar për paaftësi dhe korrupsion, sepse po dëmton në vazhdimësi të drejtat e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG