Lidhje

Takimi me Ramën, Basha kushte të reja


Në ndryshim nga përgjigja ndaj letrës së kryeministrit për bashkëpunimin për reformën territoriale, kreu i opozitës renditi dje një sërë cështjesh të tjera që sipas tij shumica duhet të përmbushë

Në Shqipëri opozita duket se i mbylli shtigjet e një kompromisi të mundshëm me shumicën për realizimin e reformës administrativo-territoriale, pasi rreshtoi një seri kushtesh të reja ndaj saj. Në përgjigje të ftesës së kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim dhe për një takim me të, kryetari demokrat Lulzim Basha, të dielën e kaluar identifikoi si pengesë që duhej kapërcyer vetëm angazhimin e shumicës që reforma të kalohej me konsensus në sallën e parlamentit. Por dje, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ai paraqiti një listë të gjatë kushtesh

Kreu i opozitës Lulzim Basha bëri një hap pas të mërkurën kur u paraqit me një qëndrim thuajse tërësisht të kundërt nga ai i përgjigjes ndaj letrës që në fundjavë kryeministri Edi Rama i drejtoi me qëllim që palët të binin dakort për realizimin së bashku të reformës administrativo-territoriale. Në tekstin e tij zoti Basha rendiste të gjithë problematikën që sipas opozitës qeveria e majtë kishte krijuar që prej ardhjes së saj në pushtet, duke lënë megjithatë të hapur mundësinë e një takime mes tyre. “Ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo nivel, për çdo problem në interes të vendit dhe demokracisë, në radhë të parë për pesë prioritetet e marrjes së statusit dhe hapjes së negociatave me BE si interes suprem kombëtar. Por edhe për reformën administrative-territoriale”, shkruante zoti Basha në përgjigjen e tij, ndërsa nënvizonte si kusht të vetëm se “pika kyçe që mbetet për t’u pohuar qartë dhe publikisht është një dhe vetëm një: jeni apo nuk jeni për votimin me konsensus të kësaj reforme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Konsensusi në komision është i pamjaftueshëm”, saktësonte ai.

Por dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ky kusht u pasurua me një listë shumë më të gjatë cështjesh, të cilat opozita i ka përmendur prej kohësh. Kryetari Basha kërkoi që shumica të njohë menjëherë vendimin e Gjykatës kushtetuese për Nëpunësin civil, vendim i cili rrëzoi shtyrjen e hyrjes në fuqi të efekteve të ligjit i cili ishte miratuar me konsensus në majin e vitit 2013. Sipas demokratëve, qeveria duhet të kthejë në punë të gjithë nëpunësit e larguar padrejtësisht,sipas saj. Por shumica vlerëson se vendimi i Gjykatës kushtetuese nuk ka efekt prapaveprues.

Opozita kërkoi dje gjithashtu që të njihet edhe vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e kompetencave të Inspektoriatit të Ndërtimit si dhe bëri thirrje që shumica “të heqë dorë në mënyrë të qartë e përfundimtare nga sulmet kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura, të tërhiqen nga marrja arbitrare e kompetencave të Presidentit si në rastin e shkarkimit të kreut të Inspektoriatit të veirfikimit të pasurive” si dhe të ndalin sipas saj “revanshin e tyre ndaj institucioneve e pavarura dhe kushtetuese me qëllim për t’i vënë nën thundrën politike ose përmes ndërprerjes antikushtetuese të mandateve të tyre ose përmes intimidimit”, tha zoti Basha.

Tonet tejet të moderuara që dy drejtuesit kryesor politik të vendit përdorën në shkëmbimin e mesazheve mes letrave publike, ushqyen shpresën për një takim i cili ndoshta mund të sillte një zbutje të tensioneve politike. Edhe vendimi i pak ditëve më parë i shumicës për të tërhequr nga kalendari i punimeve të parlamentit dy nisma të cilat ishin kundërshtuar nga opozita, u lexuan si një përpjekje për të lehtësuar këtë takim. Por dje zoti Basha tha se nuk mjaftohej me shtyrjen e tyre në kohë, porse ato duhet të hiqeshin fare nga kalendari i punimeve të parlamentit.

Kjo kthesë e papritur e opozitës, duket se shuan cdo mundësi që ajo të bëhet pjesë e reformës administrativo territoriale, të cilën shumica ka deklaruar se është e vendosur ta cojë përpara, tanimë ndoshta edhe e vetme.
XS
SM
MD
LG