Lidhje

Rama: Pse nuk e anulova vizitën në Beograd?

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha sonte se “anulimi i vizitës në Serbi nuk do të ishte përgjigja e merituar për gjithshka të padrejtë që ju bë Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin serb, por do të ishte ulja e pamerituar në nivelin e një luftë deklarative shterpë me pasojë abortimin e një procesi historik që lindi në Berlin”.

Pavarësisht incidenteve të rënda që ndodhën në Beograd gjatë ndeshjes së futbollit mes kombëtareve të të dy vendeve, e cila u ndërpre nga hyrja në fushë e tifozëve serb dhe shfaqjet e dhunës, apo dhe deklaratave dhe akuzave të ashpra të autoriteteve serbe, kryeministri shqiptar këmbënguli për të zhvilluar vizitën e tij të parashikuar më 22 tetor, e cila më pas u shty për në 10 nëntor, pas një bisede telefonike mes kryeministrin serb Aleksandr Vucic.

Sipas zotit Rama, anullimi i vizitës do të çonte në “rënien e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon në një shkallë ku jo Serbia por Shqipëria do të ishte humbësja më e madhe si investitorja më e madhe”. Sipas tij, anulimi i vizitës do të ushqente atë pjesë të euroskeptikëve “duke u dhënë argumentin se këta jo vetëm janë në gjendje t’i turren tjetrit për një ndeshje futbolli, por janë në gjendje që pas ndeshjes të shkojnë pas deri në luftën e ftohtë”, theksoi kryeminstri shqiptar.

Zoti Rama hodhi poshtë zërat se mos anulimi i vizitës nga ana e tij ka ardhur si pasojë e trysnisë nga Brukseli. “Nuk na e imponon Brukseli të sillemi si europian kur të tjerërt e jo vetëm serbët sillen jo si europian me ne. Çfarë europianësh mund të jemi nëse qënia jonë europiane ndryshon lëkurë dhe qënia jonë politike ndryshon vizion dhe strategji për shkak të një ndeshje futbolli, një grupi huliganësh apo një klase politike matanë që ka humbur mendjen për shkak të një grupi huliganësh”, nënvizoi zoti Rama, sipas të cilit “Shqipëria europiane nuk është vendi për të bërë garë kush ja kërcet më fort komshiut kur komshiut i ka ikur truri”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG