Lidhje

Rama takon drejtuesit e BE-së


Kryeministri shqiptar në Bruksel pritet nga presidenti i komisionit europian Juncker dhe ai i Këshillit europian Tusk. Bisedime për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për projektet e zhvillimit në Ballkan

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot mjaft i kënaqur nga bisedimet që ai zhvilloi në Bruksel me drejtuesit më të lartë të Bashkimit europian. Gjatë paradites zoti Rama u takua me presidentin e Komisionit europian Jean Claude Juncker dhe pasdite me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk. Në qendër të bisedimeve ka qenë ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe mbështetja nga ana e Bashkimit europian i projekteve të përbashkëta të vendeve të rajonit të Ballkanit, duke qenë se kryeministri shqiptar ishte në Bruksel edhe në cilësinë e kryesuesit të radhës së Procesit të bashkëpunimit te vendeve të europës juglindore, SEECP-it.

Kryeministri Rama në Bruksel
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

“Shqipëria është tashmë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndaj dhe shpresojmë e presim që ajo të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma. Fokusi duhet të jetë mbi përparësitë e identifikuara dhjetorin e kaluar. Kjo do të vendosë baza të forta dhe do të bëjë të mundur që të ndërmerren hapa të tjera drejt pranimit. Shumë është arritur deri tani, përfshi luftën kundër krimeve të drogës. Gjithësesi, ajo çka pritet dhe është e nevojshme të bëhet është zbatimi në të gjitha fushat”, deklaroi pas takimit presidenti Tusk.

Drejtuesi i lartë i BE-së u përqëndrua edhe të rëndësia e një klime të qëndrueshme politike në Shqipëri dhe nevojën për të rritur dhe përmirësuar dialogun e brendshëm: “Politika e kundërvënies, bojkotet dhe qëndrimi që “fituesi i merr te gjitha” nuk do t’i ndihmojnë qytetarët shqiptarë. Për t’u bërë një vend modern europian, Shqipërisë i duhet të ndërtojë një dialog politik bazuar mbi kulturën e kompromisit. Një gjë e tillë krijon hapësirën optimale për të realizuar reforma politike të vështira, por shumë të nevojshme. Kjo ka rëndësi të posaçme edhe në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Shqipëria duhet të jetë po aq konstruktive dhe e arsyeshme në politiken e brendshme sa është në rajon”.

Në të vërtetë, roli i Shqipërisë në Ballkan është përshëndetur nga presidenti Tusk vecanërisht për faktin se Tirana ka mbështetur plotësisht linjën e politikës së jashtme të Bashkimit europian, lidhur me rastin e Ukrainës apo dhe për sfidat e tjera.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se në situatën e re të kërcënimeve terroriste stabiliteti i Ballkanit merr një rëndësi të vecantë: “Ekziston rreziku që Ballkani Perëndimor të mbetet në vend, kur bëhet fjalë për standardet demokratike dhe sigurinë në një mjedis te ri plot sfida, në të cilin vendet e rajonit duhet të bëjnë përpjekje të konsiderueshme për t’u përballur me kërcënimet ndërkombëtare dhe ky rrezik është terrorizmi. Me fjalë të tjera, ka një rrezik gjithnjë e në rritje që Ballkani Perëndimor të mbetet në periferinë e periferisë së Evropës, sidomos sa u përket hendeqeve ekonomike dhe kjo është diçka që ne duam ta evitojmë me çdo kusht. Ballkani Perëndimor ka potencialin për të qenë një histori suksesi e BE-së. Suksesi i programit të Evropës për demokratizim dhe stabilizim varet nga besueshmëria dhe suksesi i politikës së zgjerimit në Ballkan”.

Në këtë kontekst, kryeministri shqiptar, vuri theksin dhe në rrugën se si BE-ja mund të rrisë më tej përpjekjet për të ndihmuar Ballkanin perëndimor që ai të bëhet një rajon I vertët në terma ekonomikë, tha zoti Rama, duke ju referuar nevojës që procesi i nisur në konferencën e Berlinit të ketë vijueshmëri, ndërkohë që vendet e Ballkanit po përgatiten të paraqesin projekte të përbashkëta zhvillimi.

XS
SM
MD
LG