Lidhje

Kryeministri Rama diskuton mbi terrorizmin me përfaqësues të klerit dhe të medias


Qeveria shqiptare nisi të hënën një bashkëbisedim me bashkësitë fetare dhe medias pas ngjarjeve të dhunshme të Parisit mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama ftoi në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues të bashkësive fetare dhe të gazetarëve, ku theksoi se “ngjarja që përgjaku Parisin ngriti një kor shumëmilionësh, që thërret në emër të dinjitetit njerëzor emrin e Charlie”.

Zoti Rama tha se punonjësit e revistës “Charlie Hebdo ishin njerëz që dinin se liria e fjalës, liria e mendimit, liria e kundërshtimit janë të panegociueshme; njerëz që jetonin dhe vepronin me besimin e palëkundur se liria e medias është kusht për çdo shoqëri demokratike.

“Jeta e Profetit Muhamed nuk ka asnjë episod që frymëzon dhunën, hakmarrjen, vëllavrasjen apo barbarinë kolektive në emër të besimit, por përkundrazi” - tha zoti Rama, - në çdo çështje ku kërkohej shpagim, hakmarrje ai urdhëroi falje”.

Ai tha se barbaria ideologjike hodhi në erë kisha e xhami, vrau, shpalli të ndaluar artin e kulturën perëndimore, torturoi dhe burgosi klerikë, poetë, shkrimtarë, njerëz të lirë. “Fyen Profetin e tij çdo shqiptar i besimit mysliman që justifikon me karikaturat e një reviste nga qindra mijëra ose ndoshta nga miliona revista në botë, kasaphanën e Parisit. Ashtu siç fyen Profetin e tij çdo shqiptar i besimit katolik apo ortodoks që atë kasaphanë haluçinante e konsideron justifikim për të shfryrë mllef ndaj islamit dhe ndaj myslimanëve shqiptarë” - theksoi kryeministri Rama.

Në Marshimin e Lirisë në Paris, ku morën pjesë përkrah edhe 4 përfaqësues të bashkësive fetare, zoti Rama tha se Shqipëria rrezatoi në zemrën e Europës, një shembull të vlerësuar lart për diçka që Europa e kërkon dhe i duhet sot më shumë se asnjëherë. “Gjatë marshimit të klerit shqiptar, shoqëruar me ovacione prej publikut të përlotur në kërkim të shpresës, Shqipëria është e fortë në shembullin unikal që mund të rrezatojë për Europën” - tha zoti Rama, duke shtuar se terrorizmi duhet luftuar duke kultivuar përditë vlerat europiane.

Kryeministri Rama theksoi se terroristët nuk synojnë një redaksi kur godasin një revistë, por synojnë gjithçka që përmes një redaksie mishëron liria e medias, liria e mendimit, liria e shprehjes. Për këtë arsye, jo simbolikisht, por konkretisht janë vrarë njerëzit e një redaksie po janë goditur të gjitha redaksitë e botës së lirë, janë kërcënuar dhe trysnuar të gjithë punonjësit, botuesit apo krijuesit e medias së lirë. Sipas tij, sfida madhore e çdo bindjeje, besimi, shoqërie e qeverisjeje është toleranca dhe paqja.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG