Lidhje

Situata ekonomike, Rama takon bankierët


Guvernatori Fullani: Ekonomia përpara sfidave të mëdha. Për t’i përballuar ato duhet një aksion i guximshëm e largpamës bazuar në katër shtylla

Në Shqipëri guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha sot se ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të vendit dhe politikat stimuluese, zbutja e pasigurisë, realizimi i reformave strukturore dhe afrimi me Bashkimin europian janë elementët mbi të cilat duhet të ndërtohet aksioni i përbashkët i institucioneve shqiptare për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballet sot ekonomia. Këto komente zoti Fullani i bëri gjatë një takimi të përbashkët të shoqatës së bankave me kryeministrin e ardhshëm Edi Rama. Zoti Rama nga ana e tij, tha se qeveria synon shëndoshjen e financave publike dhe krijimin sa më parë të hapësirave për kreditimin e ekonomisë.

Draft Entry
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Ndërsa po përgatitet për të marrë në duar drejtimin e qeverisë në shtator, kryetari socialist Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e bankave që veprojnë në vend. Socialistët janë shprehur prej kohësh të shqetësuar për ekonomia dhe situatën financiare të vendit e cila pas 6 muajve të parë të vitit gjendet me parametra të përkeqësuar.

Guvernatori i Bankës Ardian Fullani tha sot se ekonomia është përpara sfidave të mëdha, përballimi I të cilave sipas tij kërkon një aksion të guximshëm e largpamës

Clip “Banka e Shqipërisë gjykon se ky aksion duhet të mbështetet në katër kolona veprimi: së pari, ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të vendit dhe ndjekja e politikave ekonomike stimuluese; së dyti, zbutja e pasigurisë në ekonomi; së treti, vazhdimi i reformës strukturore dhe së katërti, konvergjenca me Bashkimin Evropian”

Zoti Fullani deklaroi se zhvillimi ekonomik i vendit gjendet në një fazë delikate

Clip “Ritmet e zhvillimit ekonomik janë ngadalësuar duke krijuar jo pak vështirësi, si për sektorin publik dhe për atë privat , për bizneset, familjet e për sistemin financiar. Shpenzimet konsumatore janë të ulëta, kryesisht si pasojë e pasigurisë së familjeve për të ardhmen, por, së fundi, edhe në reflektim të ngadalësimit të të ardhurave. Dy përbërës të tjerë të kërkesës agregate shfaqin po ashtu aftësi të kufizuara për t’i dhënë impulse të qëndrueshme rritjes ekonomike të vendit: shpenzimet publike janë të kufizuara nga mungesa e hapësirës fiskale si pasojë e rritjes së borxhit publik, ndërsa eksportet vuajnë kërkesën e dobët të tregjeve botërore dhe shkallën e ulët të diversifikimit”.

Guvernatori i Bankës vuri theksin te nevoja e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomik, stabilitetit financiar, te nevoja e reformave strukturore dhe shëndoshja e sistemit të financave publike përmes një rregulli fiskal transparent e të besueshëm, ndërsa kërkoi nga bankat që të nxisin kreditimin.

Nga ana e tij zoti Rama premtoi një bashkëpunim të ngushtë me bankat dhe ngritjen e një Këshilli ekonomik i cili, tha ai, “do të jetë një tryezë e përbashkët mes qeverisë dhe sipërmarrjes pasi kjo është një kohë sfidash të përbashkëta”, theksoi kryeministri i ardhshëm. Ai përsëriti synimin për realizimin e një auditi ndërkombëtar të gjendjes ekonomike, si dhe kalimin e Institutit të statistikave, për pesë vitet e ardhshme, nën administrimin e një institucioni simotër të një vendi të Bashkimit europian.

Zoti Rama theksoi se synimi do të jetë shëndoshja e financave dhe krijimi I hapësirave për kreditim

Clip “Ne jemi shumë të vullnetshëm për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme për konsolidimin fiskal, që së pari të kurojmë me recetën e duhur financat publike dhe së dyti të krijojmë sa më shpejt një hapësirë për të kredituar ekonominë”.

Niveli i kreditimit në ekonominë shqiptare ka ardhur duke u tkurrur. Bankat kanë shtrënguar politikat e tyre edhe për shkak të rritjes së nivelit të kredive të këqija vlera e së cilave shkon në afër 1 miliard euro, ndërkohë që edhe vetë bizneset për shkak të problemeve dhe uljes së investimeve kanë reduktuar kërkesën për financime.

XS
SM
MD
LG