Lidhje

Rama: Luftë kundër korrupsionit dhe shtet në shërbim të qytetarit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se qeveria e tij do të mbëshetet fuqimisht tek administrata, por shtoi se nga ana tjetër do të godasë "në ato apekte dhe ato drejtime ku ne kemi identifikuar se duhet të nisë një luftë kundër korrupsionit dhe beteja për të ndërtuar shtet në shërbim të qytetarit”. Zoti Rama tha se qeveria do të vërë në zbatim në ditët në vijim një plan që “po detajohet imtësisht për një aksion që nuk do të ndalet deri kur kontrolli mbi territorin të jetë vendosur”. Kryeministri Rama foli për statusin e nëpunësit civil, për të cilin tha se është i pazbatueshëm, por shtoi se qeveria e tij nuk ka plane spastrimi. Ai tha se “ne kemi ardhur me një mandat për t’u shërbyer qytetarëve”. Zoti Rama foli edhe për çështjen e shlyerjes së borxheve. Të ndjekim intervistën që i mori sot zotit Rama, kolegu ynë Ilir Ikonomi, pas fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.



Zëri i Amerikës: Zoti Rama, para se të merrnit votën e parlamentit, ju thatë se kishtit përfunduar së përcaktuari piketat për 100 dhe 300 ditët e para të qeverisë. Cilat do të jenë ndërhyrjet, apo objektivat tuaja parësore?

Edi Rama: Puna e njëqind ditëve të para ka nisur. Një punë në të gjitha drejtimet me aksione konkrete në çdo fushë. Aksione që synojnë të shkundin thellë një administratë tërësisht të përgjumur, të demotivuar dhe që ka shumë për të bërë dhe mbi të cilën ne do të mbështetemi fuqimisht. Nga ana tjetër, do të godasim në ato aspekte dhe ato drejtime ku ne kemi identifikuar se duhet nisë një luftë kundër korrupsionit dhe beteja për të ndërtuar shtet në shërbim të qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, keni përsëritur disa herë, vendosjen e kontrollit mbi territorin. E kuptoj që kjo ka qënë një përparësi e juaja, e kam fjalen tek ndërtimet e paligjshme, shkatërrimet e tyre dhe sidomos ato që janë në bregdet. Faktikisht këto zona janë kontrolluar nga socialistët dhe vazhdojnë të kontrollohen prej tyre. Çfarë mendoni ju?

Edi Rama: Së pari, unë nuk e ndaj në soclialist apo demokrat përgjegjësinë. Kjo është një përgjegjësi kombëtare. Kjo është një përgjegjësi qytetare dhe padyshim është një përgjegjësi politike e qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Të fshihesh pas flamurit të një partie kundërshtare për të kërkuar të përgjegjësi që janë tuat është një mënyrë që i takon së shkuarës. Është një mënyrë qeverisëse që shqiptarët e ndëshkuan me 1 milion vota dhe është një rrugë që të çon asgjëkundi. Për ne, kjo është një përgjegjësi e jona, e qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ne do ta marrim këtë si përgjegjësi tonë dhe në ditët në vijim do të vëmë në zbatim një plan që po detajohet imtësisht për një aksion që nuk do të ndalet deri kur kontrolli mbi territorin të jetë vendosur dhe ligjshmëria në territor të jetë e pa kontestueshme nga askush apo nëse dikush e konteston të përkthehet në ndëshkime të forta të cilat do të jenë shprehje e domosdoshmërisë që ndaj territorit të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe të jemi të gjithë bashkëpunues në funksion të saj.

Zëri i Amerikës: Debati mbi çështjen e statusit të nëpunësit civil. Ka një debat të fortë këto ditë në Tiranë për këtë çështje. Për çështjen e shtyrjes që kërkon mazhoranca dhe opozita ka një akuzë shumë të fortë kundër jush se ju po përpiqeni të spastroni administratën me shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtij statusi. Çfarë mendoni ju?

Edi Rama: Nuk ka debat mbi statusin e nëpunësit civil. Ka vetëm një domosdoshmëri për ta bërë të zbatueshëm ligjin që është miratuar me tre të pestat para zgjedhjeve dhe që është i pazbatueshëm pasi në gjithë këto muaj nuk janë nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. Kjo që ne kërkojmë sugjerohet nga partnerët tanë që kanë bashkëpunuar me ne për të ndërtuar ligjin në fjalë dhe për të bërë ato ndryshime që pastaj u votuan nga parlamenti, e para. Dhe së dyti, akuzat për spastrime janë të gjitha shembuj të asaj shprehjes që thotë “ kush shpif ndaj teje e bën duke u nisur nga çka në fakt është në gjendje të bëj vetë”. Ne nuk kemi plane spastrimi, ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve. Një administrate që është aty për t’u shërbyer qytetarëve. Të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit.

Zëri i Amerikës: Në administratat e kaluara gjimonë ka patur spastrime. Ky është një farë rregulli në Shqipëri. A do ta ndryshoni ju këtë?

Edi Rama: Ky është një rregull për të cilin duhen përgjigjur ata që u larguan nga pushteti me 23 qershor dhe jo ne që kemi ardhur në qeveri me një mandat shumë të fortë për të ndërtuar një shtet që u shërben qytetarëve që u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni, nga nëpërkëmbja, nga mos zbatimi i ligjit, nga pandëshkueshmëria dhe nga gjithë ajo tërësi fenomenesh dhe sjelljesh që e kanë mbajtur Shqipërinë larg Bashkimit Evropian. Ne jemi këtu për të mos përsëritur gabimet dhe aq më shumë fajet dhe mëkatet e së shkuarës, por për të shkuar përpara duke respektuar mandatin e fortë që kemi. Dhe në fund fare, askush mos ta harrojë që ky është një ligj i miratuar me 84 vota dhe për ta bërë atë të zbatueshëm duhet një ndërhyrje që përsëri kërkon miratimin me 84 vota. Për këtë arsye ne, si asnjë herë më parë një qeveri tjetër, i jemi drejtuar opozitës, i jemi drejtuar të gjitha pjesëve të opozitës në kërkim të një konsensusi në rrugën e një arsyeje shumë të thjeshtë, ligji është i pazbatueshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju keni premtuar disa herë se do të ktheni sa më shpejt borxhet e biznesit dhe nuk janë pak, janë 400 milionë euro. A do të hyjë qeveria në borxhe të reja, pra a do ta filloni qeverisjen duke marrë borxhe nga FMN-ja dhe nëse po, sa do të merrni?

Edi Rama: Ne kemi premtuar se do të ndalim ecurinë e mëtejshme në rrugën e rrënimit të biznesit dhe jemi zotuar se do t’i shlyejmë sipërmarrjes borxhet e mëdha të akumuluara për punë të papaguara nga ana e Shqipërisë, sepse për ne ekonomia nuk është dy, ekonomia është një dhe këto borxhe kanë sjellë pastaj rëndesa të mëdha në raportet me bankat dhe në raportet e bankave me vetë tregun.

Zëri i Amerikës: Çështja është si do të veproni?

Edi Rama: Kjo është një shlyerje që duhet bërë një orë e më parë dhe ne do ta bëjmë këtë. Se si, kjo pastaj ka të bëjë me një skemë shumë të qartë financimi që ne po e ndërtojmë në dialog me një grup këshilltarësh të nivelit më të lartë botëror, në dialog me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në dialog edhe me sipërmarrjen në mënyrë që këtë gjendje krize të rëndë, që kemi trashëguar dhe përmasat e të cilës do t’i shohim plotësisht kur të bëjmë auditin e pavarur ndërkombëtar, ta përballojmë të gjithë së bashku por jo duke hedhur barrën e krizës mbi sipërmarrjen dhe aq më shumë akoma mbi qytetarët.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, kohët e fundit midis jush dhe opozitës ka patur një të ashtuquajtur “luftë fotografish”, ku jeni i angazhuar ju vetë. A nuk ju takon ju si kryeministër të mos e ulni nivelin e debatit tek fotografitë e Kryeministrisë por ta ngrini atë tek nevojat e qytetarëve, tek nevojat e vendit dhe çështjet thelbësore?

Edi Rama: Unë nuk kam bërë asnjë debat për çështje fotografish dhe as kam ndërmend ta bëj me ju, thjesht ne kemi ekspozuar fotografi të mjediseve të Kryeministrisë apo të mjediseve të tjera dhe kjo besoj është një normalitet. Edhe fotografitë e kryeministrive të vendeve të Europës ndahen me qytetarët, të cilët mund t’i vizitojnë kryeministritë online. Thjesht kemi fotografuar çfarë kemi gjetur brenda. Pastaj nëse të tjerët janë ndjerë keq nga ato fotografi, kjo është një çështje e tyre, nuk është çështja ime. Unë nuk bëj debat fare për këtë.

Zëri i Amerikës: Pyetja ishte se kjo tingëllonte si një fyerje ndaj opozitës.

Edi Rama: Më vjen shumë keq, por ju them dhe një herë tjetër që ne kemi ekspozuar fotografi të mjediseve të Kryeministrisë jo skenografi apo imazhe imagjinare. Se kush fyhet nga kjo, kjo nuk është çështja jonë. Ne nuk e kemi bërë për të fyer njeri, ne e kemi bërë për t’i thënë qytetarëve “shikoni Kryeministrinë, apo shikoni Ministrinë e Brendshme, apo shikoni spitalin, apo shikoni mjedise që ne kemi gjetur dhe ku po punojmë dhe do të punojmë për t’i shërbyer qytetarëve”.

Zëri i Amerikës: Heqja e portretit të Presidentit u duk si një hap impulsiv...

Edi Rama: Ne nuk kemi hequr portret të Presidentit. Ne, në 100 vjetorin e Pavarësisë, kemi bërë një propozim për të vendosur portretin e Ismail Qemalit si një figurë unifikuese për të gjithë shqiptarët, si një figurë shumë simbolike dhe domethënëse për shtetin shqiptar dhe si një figurë që i jep fund një historie qesharake fotografish që hiqen e vihen për shkaqe të politikës së brendshme, këtë kemi bërë.

Zëri i Amerikës: Përshtypja që u krijua dhe kritikat kanë qenë se kjo drejtohej ndaj Presidentit aktual dhe ndaj opozitës.

Edi Rama: Unë nuk merrem me përshtypjet e as me kritikat, unë jam këtu për t’ju thënë se çfarë kemi bërë ne. Se cilat janë përshtypjet e disave apo disa të tjerëve, kjo pastaj është një çështje që lidhet me opinionet, këndvështrimet, botëkuptimet, dëshirat, interesat e secilit. Di vetëm një gjë, që vendosja e fotografisë së Ismail Qemalit në Këshillin e Ministrave dhe në zyrat e shtetit shqiptar është pritur jashtëzakonisht mirë nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, kjo mjafton.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, në qoftë se i hidhni një vështrim historisë shqiptare, cili është ai shef ekzekutivi ose ata shefa ekzekutivi nga të cilët ju do të kishit dëshirë të mësonit?

Edi Rama: Nuk e kam menduar këtë gjë, të them të drejtën. Por nëse kërkoni vërtet që t’ju them se nga kush unë dëshiroj të mësoj, unë kam shumë njerëz që janë shkak që unë merrem me politikë apo që sot jam në krye të qeverisë, që nga Abraham Lincoln-i deri tek Tony Blair-i.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG