Lidhje

Kryeministri Rama kërkon falje për dekorimin e ish-hetuesit komunist

  • Pëllumb Sulo

Kryeministri Rama kërkon falje publike për dekorimin e ish hetuesit të At Zef Pllumbit dhe Sami Repishtit

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot falje publike për dekorimin e hetuesit dhe torturuesit famëkeq të françeskanit At Zef Pllumbit dhe profesor Sami Repishtit. Duke folur në takimin “Të pastrojmë më tej Shqipëtinë” zhvilluar sot pasdite në Shkodër, kryeministri Rama tha:

"Kam sot detyrimin per t’i kërkuar të falur për tronditjen e kuptueshme që i ka sjellë medalja e marrë prej torturuesit të tij. Dhe kjo kërkesë falje për të nderuarin Sami Repishti është brenda ndjesave për këdo tjetër, që ka kaluar në duart e torturuesit famëkeq, përfshirë edhe të gjithë familjarët dhe të afërmit e tyre, të lënduar me plot të drejtë nga ky lajm shumë i befasishëm edhe për mua vetë. E kërkoj ndjesën e këtyre njerëzve, por edhe e të gjithë të tjerëve që janë ndjerë keq nga një lajm i tillë, jo sepse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Kjo nuk ka ndodhur, madje e verteta është se, në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as pa dashje, por ndjesa është e detyrueshme edhe pse, krejt pa dashje, edhe ne, qeverija jone, jemi bërë pjesë e një historie shumë të zymtë, ku ndër vite janë përfshirë lloj lloj hileqarësh, hipokritësh dhe kokëtrashësh".

Duke e cilësuar një episod të shëmtuar, kryeministri Rama tha se ai nuk kishte nisur vitin e kaluar, në 70 vjetorin e Çlirimit kur Minitria e Mbrojtjes i dha Medaljen e Mirënjohjes ish hetuesit, por 20 vite më parë, kur ish Presidenti Berisha dekretoi në vitin 1994 ligjin për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimntare dhe, disa muaj më pas, qeveria miratoi ligjin 190 që rregullonte administrativisht statusin e veteranit të luftës.

"Torturuesi famëkeq i padër Zefit dhe profesor Repishtit, nuk e ka marrë për herë të parë vjet, përmes medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes, shprehjen e mirënjohjes së qeverisë shqiptare si veteran i luftës. Ai, po jo vetëm ai, edhe të tjerë, si vëllezër dhe si motra të sojit të tij, të torturuesve, të pushkatuesve, të internuesve, të përvëluesve të zemrave dhe familjeve të panumërta shqiptare, përfshirë edhe vetë Nexhmije Hoxhën, janë nderuar prej kohësh, të shumë kohe më parë, si veteran të luftës, sado absurd mund t’ju duket kjo".

Kryeministri Rama sqaroi se, Ministria e Mbrojtjes i është përmbajtur pikërisht këtij vendimi për dhënien e medaljes së mirënjohjes, duke ju referuar të ashtuquajturës “listës së kategorisë së parë të veteranëve të luftës” dhe jo duke qëmtuar emra të përveçëm si dhe la të kuptohet se, në këto lista ka edhe mjaft emra të tjerë, që nuk e meritojnë nderimin e shtetit demokratik.

"Kjo do të thotë se kategoria e parë e veteranëve është përcaktuar me ligj dhe vendime të veçanta, shumë kohë më parë dhe askush, asnjehërë, për arsye shumë misterioze nuk ka marrë mundimin të qëmtojë emrat e përveçëm që janë përfshirë në këtë kategori, ose, më keq akoma, kanë bërë dy sytë qorr dhe në mënyrë hileqare u kanë hapur rrugë mijve të rregjimit komunist që të parakalojnë 20 vjet nën mustaqet e shtetit demokratik".

Deklaratat e sotme të kryeminstrit Edi Rama vijnë pas shqetësimeve të përsëritura për rishfaqjen e simboleve të rregjimit komunist dhe vlerësimin e figurave të atij rregjimi, shqetësime këto që u përshkallëzuan javët e fundit kur Partia Demokratike, ish të përdjekurit politike, perfshirë edhe vete profesor Sami Repishtin, si dhe mediat reaguan fuqishëm kundër nderimit, një vit më pare, të ish hetuesit dhe torturuesit të dy prej figurave të njohura të qendresës antikomuniste në Shqipëri, françeskanit At Zef Pllumbi dhe profesorit shqiptaro-amerikan Sami Repishti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG