Lidhje

Rama propozon dhomë kombëtare të tregtisë mes Shqipërisë e Kosovës


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, hodhi të shtunën idenë për krijimin e një dhome kombëtare të tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ideja e tij u hodh në qytetin e Pejës në Kosovën perëndimore në një takim me bizneset nga Kosova, me ç’rast theksoi se të dyja vendeve u nevojitet harmonizimi i kuadrit ligjor për zhvillimin ekonomik, mënjanimi i pengesave dhe krijimi i lehtësive në eksportin e prodhimeve të dy shteteve; si dhe fillimi i bashkëpunimit në zhvillimin e energjisë, të turizmit, etj.

Kryeministri Rama tha se problemi kryesor në mes të dy vendeve është mungesa e komunikimit në mes të bizneseve dhe se vendeve u ka munguar një dhomë e tregtisë kombëtare shqiptare.

“Për të bërë kombëtaren e futbollit na pengon FIFA dhe UEFA por, për ta bërë kombëtaren ekonomike nuk na pengon askush dhe mund ta bëjmë”, tha ai.

Ndërsa, ministri i zhvillimit ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj, tha se javën e ardhshme do të zbatohet heqja e tatimeve të dyfishta mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai paralajmëroi se gjatë këtij viti do të hiqen edhe tatimet mbi vlerën e shtuar për librat, gazetat, revistat si dhe për eksportin e tubave të çelikut.

Në takimin e së shtunës mbrëma u debatua edhe për luftën kundër ekonomisë joformale ndërmjet të dyja shteteve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG