Lidhje

Rama premton ndryshime radikale


Kryeministri i ardhshëm në asamblenë socialiste: Nuk mund të justifikohemi., ndryshe do të ndëshkohemi pas katër vjetësh sic e pësoi e djathta

Në Shqipëri, kryetari socialist Edi Rama, kryeministër i ardhshëm i vendit tha sot e majta ka shansin të bëjë historinë, nëse nuk do të ndëshkohet pas katër vjetësh si kundërshtarët e saj të djathtë. Duke folur në asamblenë e partisë së tij zoti Rama I mëshoi disa herë faktit se mbështetja e madhe e marrë në zgjedhjet e 23 qershorit përbën një përgjegjësi shumë të lartë. Ai paraqiti edhe disa nga përparësitë urgjente të qeverisë së re e cila tha ai do të realizojë auditimin ndërkombëtar të të gjithë sisitemit dhe vecanërisht të atij financiar, në mënyrë që sic tha ai qeverisja të mbështetet te realiteti i fakteve.

Rama premton ndryshime radikale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Ndërsa euforia e fitores së thellë që arriti në zgjedhjet e 23 qershorit, ka kaluar, e majta duket se po ndjen peshën e rëndë të përmasave të saj dhe faktin se shumë shpejt do të gjendet përballë sfidës për të kthyer në realitet cka premtoi e për të mos marrë sic tha sot kryetari socialist Edi Rama ndëshkimin që pësoi e djathta: “Jemi thirrur nga shqiptarët të ndërtojmë shtetin modern të tyre. Ky është një mandat që ne na vendos përballë dy mundësish: Ose të bëjmë histori, ose të ndëshkohemi pas katër vjetësh në mënyrë historike. Ajo që shqiptarët na kanë dhënë është e jashtëzakonshme! Ajo që ne do t’i kthejmë mbrapsht duhet të jetë e jashtëzakonshme!”

Koalicioni i majtë arriti të siguronte 84 vende në parlamentin e ardhshëm, gjë e cila i lejon të kryejë edhe reforma që do të kërkonin një shumicë të cilësuar. “Lavdi popullit shqiptar kemi marrë një mandat për të bërë çdo reformë të mundshme dhe të imagjinueshme në këtë vend. Askush nga ne, unë i pari, nuk ka më asnjë alibi që të thotë këtu na pengojnë këta e aty na pengojnë ata, këtu nuk mundemi se na bllokojnë, këtu nuk duan etj, etj. Na kanë dhënë shqiptarët të gjitha përgjegjësitë, çdo përgjegjësi për t’i kthyer në vepra ato që u kemi thënë me fjalë gjithë këto ditë”, tha zoti Rama.

Kryetari socialist i cili do të drejtojë qeverinë e ardhshme paraqiti sot edhe disa nga veprimet e para që do të duhet të ndërmarrë urgjentisht: “Një auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke e filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti. Është një proces i domosdoshëm, është një proces që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës. Është një proces i domosdoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes të vërtetës dhe për t’u ndarë nga një qeverisje përmes gënjeshtrës”.

Ai renditi gjithashtu edhe disa prej cështjeve parësore me të cilat tha se do të merret personalisht: “I konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente çështjet e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit”.

Zoti Rama ripërsëriti shqetësimin se ekzekutivi aktual po abuzon sipas tij në këtë periudhë pritjeje deri në dorëzimin e pushtetit, duke ju referuar vendimeve për dhënie lejesh apo koncesionesh: “Është e pamundur që të konceptohet për Europën ku jetojmë dhe për Shqipërinë që synon të integrohet në Europë, që një qeveri e ndëshkuar në mënyrë plebishitare nga populli të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasurinë e përbashkët të këtij populli”.

Qeveria e re do të duhet të nisë nga puna në fillim të muajit shtator.
XS
SM
MD
LG