Lidhje

Reforma territoriale, Rama letër Bashës


Kryeministri fton kreun e opozitës të bashkëpunojnë për realizimin e reformës dhe shprehet i gatshëm edhe të takohet me zotin Basha

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një letër kryetarit të opozitës Lulzim Basha duke e ftuar atë që së bashku të nisin punën për hartimin e reformës administrativo territoriale. Në letrën e tij zoti Rama shpreh gatishmërinë edhe për t’u takuar me zotin Basha rreth kësaj cështjeje. Opozita ka refuzuar pjesmarrjen në komisionin parlamentar të reformës duke kërkuar garanci për respektimin e konsensusit dhe deri pasdite nuk ka reaguar ndaj ftesës së kryeministrit

Pas disa thirrjesh të përsëritura drejtuar opozitës, e majta ka bërë një tjetër lëvizje për të siguruar edhe angazhimin e të djathtës në realizimin e reformës administrative. Sot kryeministri Edi Rama i është drejtuar kryetarit demokrat Lulzim Basha me anë të një letre, duke kërkuar që palët të bashkëpunojnë për këtë nismë e cila sipas zotit Rama “është konsideruar e domosdoshme, jo vetëm nga të gjitha partitë më të mëdha politike në vend, por edhe nga partnerët e Shqipërisë dhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare”.

Në letrën e tij, zoti Rama bën ftesë që të nisin “pa humbur kohë bashkërisht, shumicë dhe opozitë, punën në komisionin për këtë reformë me interes të posaçëm strategjik për vendin”. Po mbushen gati dy muaj që kur shumica votoi në parlament ngritjen e komisionit të përbashkët, i cili i njeh opozitës të drejtën e vetos, bashkëkryesimit dhe një numër të barabartë anëtarësh. Komisioni është mbledhur vetëm një herë, duke mbetur në pritje të opozitës. Në letrën e tij kryeministri Rama shkruan se synimi i shumicës së majtë “është që kjo reformë të miratohet me konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirje të të gjitha forcave politike dhe grupeve të interesit, edhe fakti se e presim tanimë prej kohësh opozitën të vijë në komision, dëshmon qartë vullnetin për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces”, edhe sepse, sic vë në dukje zoti Rama, e majta “i ka 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës administrative-territoriale”.

Opozita e ka kushtëzuar përfshirjen në këtë reformë me “garancitë e munguara për respektimin e konsensusit”, pasi sipas saj, shumica ka dëshmuar se i shkel marrëveshjet, duke ju referuar këtu, shtyrjes në kohë të efekteve të ligjit për nëpunësin civil, i cili ishte miratuar me pëlqimin e palëve majin e kaluar. Kryeministri megjithatë shpreh gatishmërinë për t’u takuar me zotin Basha nëse ky i fundit, sic shkruan zoti Rama “do të donte të ndante çfarëdo shqetësimi lidhur me këtë çështje me interes kaq të veçantë për të gjithë. Për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundon letra.

Përfaqësuesë të ndryshëm të shumicës kanë përsëritur disa herë se pavarësisht vullnetit për të pritur opozitën, kjo pritje nuk do të mund të zgjasë pa fund, duke paralajmëruar vendosmërinë për të ecur përpara me përfundimin e reformës. Një variant për të cilin opozita ka reaguar ashpër duke u shprehur se nuk do të njihte një produkt të njëanshëm, e madje duke lënë të kuptohet se në një situatë të tillë ajo do të rivlerësonte edhe pjesmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme vendore të 2015.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG