Lidhje

Rama: Shqetësim për situatën në Maqedoni


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shprehu mbrëmë shqetësim për situatën e krijuar në Maqedoni, pas protestave të shqiptarëve të atjeshëm të cilat shpërthyen kur një gjykatë dënoi me burgim të përjetshëm 6 shqiptarë për vrasjen e disa qytetarëve maqedonas në prillin e 2012
"Çka po ndodh këto ditë në Maqedoni meriton vëmendje, maturi pa dyshim, po reflektim dhe madje të thellë po ashtu. Marrëveshjes së Ohrit nuk i kanë dalë për zot vetëm dy palët që e përbejnë Maqedoninë, maqedonasit dhe shqiptarët, por edhe garantët e asaj marrëveshjeje, miqtë dhe partnerët e besuar ndërkombëtarë. E nëse maturia u duhet shumë dy palëve tona, reflektimi i thellë nevojitet të jetë trepalësh, pasi as burgosja e përjetshme e 6 shqiptarëve, as reagimi me flamuj të një radikalizmi fetar që i bie ndesh interesave shqiptare, nuk mund të justifikohen".
Sipas kryeministrit Rama “këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një humbjeje besimi ndër shqiptarët, për të cilat garantët nuk duhet ti kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së përgjegjësive të tyre”. Zoti Rama shtoi se sipas tij “edhe flamujt e radikalizmit fetar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale gërryese, varfërim, papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më agresivet në organizmin shoqëror të një bashkësie. E për këto duhet menduar me tre palë për Maqedoninë. Për këto duhet menduar me shumë palë për Ballkanin”, nënvizoi zoti Rama.
Këto komente kryeministri shqiptar i bëri në një fjalë të mbajtur gjatë një darke iftari të shtruar për besimtarët musliman të cilët janë në muajin e Ramazanit. “Shqipëria është një vend evropian ku myslimanët dhe të krishterët s’janë lëkundur asnjëherë seriozisht në dashurinë tyre për Europën dhe në dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”, nënvizoi zoti Rama, duke shtuar se “e tillë është dhe Kosova dhe mos qoftë e thënë të lëkunden ndonjëherë. Por ndërkohë – shtoi ai - të tjerët miqtë dhe partnerët tanë nuk duhet ta harrojnë se palëkundshëmria e shqiptarëve si Evropianë pa dallim fesh dhe vendbanimesh, vjen prej një besimi që nuk ushqehet veç me fjalë dhe me ëndrra në këtë botë lëkundjesh nga të katër anët”, u shpreh kryeministri Rama







Trego komentet

XS
SM
MD
LG