Lidhje

Rama: "Presidenti të punojë i qetë".


Komentet më të fundit të drejtuesve politikë Rama dhe Basha mbi gjendjen politike, ekonomike dhe demokratike të vendit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste dhe shumica që ai drejton nuk do të ndërmarrin nisma për të penguar veprimtarinë e presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Kryeministri Rama i bëri këto komente gjatë një bisede në televizionin Top Channel, ku theksoi se ai dhe presidenti do të kryejnë secili detyrën e vet, duke dhënë një shembull bashkëpunimi për qytetarët. Kryeministri Rama tha se presidenti Nishani mund të vazhdojë i qetë detyrën në mbrojtje të Kushtetutës, i pashqetësuar se mund të merren nisma kundërshtimi nga shumica.

“Presidenti Nishani nuk ka asnjë arsye të ndjehet i rrezikuar nga asgjë, por i ka të gjitha arsyet që të jetë gardian i Kushtetutës, ashtu sikundër Kushtetua e kërkon. Nga ana tjetër, mund t’ju siguroj që, për sa më takon, epoka e municioneve që mblidheshin në këtë zyrë dhe pastaj mbushnin topat apo armët e luftës politike, për t’u nisur të shtënat drejt presidencës, ka mbaruar. Në të gjitha rastet, ju nuk do të dëgjoni që unë si kryeministër të sulmoj publikisht presidentin. Sigurisht që mund të ketë momente mosdakortësie, por, gjithmonë, në rast se do të shprehen, edhe pse do të bëj çmos që këto as të mos shprehen, por t’i shprehen presidentit në rrugë konfidenciale, nuk do të kenë lidhje fare me çfarë na kanë parë sytë e dëgjuar veshët deri pak kohë më parë” - tha kryeministri Rama.

Zoti Nishani, opinioni publik përmes mediave dhe opozita përcollën me shqetësim mospajtimet që lindën lidhur me vendimin e qeverisë për të larguar foton e presidentit nga zyrat shtetërore. Presidenti Nishani tha se heqja e fotos nuk ishte vecse një gjest, dhe se Kushtetuta do të mbrohej në çdo rast, ndërsa Partia Demokratike deklaroi se kjo ishte një shkelje kushtetuese, e cila duhej shmangur.

Në një kohë me zotin Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, deklaroi gjatë një bisede në televizionin Klan se opozita do t'u provojë qytetarëve se socialistët erdhën në pushtet me mjete të pandershme dhe me premtime të parealizueshme.

“Ne do t'u tregojmë qyetarëve ditë për ditë se socialistët erdhën në pushtet me premtime jorealiste, të parealizueshme dhe mashtruese. Partia Demokratike nuk do të jetë bllokuese për reformat dhe integrimin europian, por do të jetë një opozitë krijuese, e cila do të ofrojë alternativën e vet për problemet shqetësuese të vendit” - tha zoti Basha.

Pas ligjërimit të parlamentit të ri, betimit të qeverisë së re dhe fillimit nga puna të këtyre dy institucioneve, janë duke u plotësuar komisionet parlamentare dhe zyrat e zëvendësministrave, dhe kështu institucionet demokratike nisin punën me kapacitet të plotë, ndërsa skena politike po përqëndrohet në komentet mbi veprimet e para të qeverisë dhe opozitës pas ndërrimit të vendeve në pushtet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG