Lidhje

Rama: Nuk kemi nevojë për argumenta alibik në rast humbjeje

  • Armand Mero
  • Tiranë

Rama: Nuk kemi nevojë për argumenta alibik në rast humbjeje

Rama: Nuk kemi nevojë për argumenta alibik në rast humbjeje

Kryetari i opozitës Edi Rama thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahas theksit politik kundër qeverisë, fushata e opozitës ka në përmbajtjen e saj edhe projektet e modelet e zhvillimit që ajo ka ofruar për qytetarët. Zoti Rama deklaron se opozita është përgatitur që të shmangë përpjekjet sipas tij për deformimin e votës nga ana e pozites, ndërsa shton se një deklarim i tillë nuk ka të bëjë me një alibi të mundshme të rast humbjeje.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama doja ta nisja këtë intervistë nga pozicioni juaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si një kandidat që kërkon për herë të katërt mandatin. A mund të bëni një bilanc të shkurtër të këtyre katër viteve të fundit, sepse kundërshtarët tuaj thonë se po e spostoni politikisht fushatën, pikërisht për të evituar një bilanc të dështuar sipas tyre, në bashkinë e Tiranës, ndërsa edhe në fushatën tuaj, krahasimet i bëni me fillimet e mandatit tuaj të parë?

Edi Rama: Ne në katër vite kemi realizuar një volum kolosal pune, por sigurisht edhe jemi penguar në disa punë të një rëndësie të vecantë. Unë sapo po vij nga prezantimi i një projekti të realizuar të banesave sociale. Një projekt që jetëson një model të ri të politikës së strehimit social, një model të integruar. Eshtë një projekt i realizuar, por shtëpitë presin kur të clirohet Këshilli Bashkiak me një votë për PS në Tiranë, në mënyrë që ky këshill të marrë atë vendim që është bllokuar në mënyrë shumë cinike nga Saliu dhe Iliri. Pra c’ka thuhet sigurisht thuhet e është thënë, por cka është bërë, është aty, në dritën e diellit dhe tregon qartë se ne jemi e vetmja rrugë dhe se bashkia e Tiranës nuk është thjesht një kryetar, por është një institucion i standarteve europiane, është program zhvillimi i standarteve europiane dhe një lidership që do të konfirmohet më 8 maj.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, le të flasim për katër vitet e ardhshme. Ju keni prezantuar disa projekte të mëdha. Të para në ekran ngjan një Tiranë e ëndrrës, gati futuriste. Kur do nisin këto projekte?

Edi Rama: Sikur unë t’u kisha prezantuar në ekran, 10 vite më parë, Tiranën që ne kemi sot, jo vetëm ju po kushdo do kish thënë të njejtën gjë, është një Tiranë e ëndrrës, është një Tiranë futuriste. Ja kjo është Tirana që kemi sot dhe sot ne jemi në gjendje ta shohim të ardhmen me shumë më tepër besim sepse s’kemi vetëm kurajën për të ëndërruar por edhe provën që i realizojmë ëndrrat tona

Edi Rama: Po konkretisht, kur do nisin këto projekte., projekti i Tramvajit, projekti i një qëndre të re, apo projektet e tjera që ju keni prazantuar?

Projekti i Tramvajit në këndvështrimin tonë, ka nisur me masterplanin e transportit të integruar dhe transformimi rrënjësor i të gjithë flotës së autobusëve dhe korsitë e dedikuara janë pjesë e këtij masterplani, e sigurisht me radhë gjërat shkojnë drejt fillimit të projektit të TRAM TIRANA. Ashtu sikundër edhe projektet e tjera janë pjesë e programit tonë të zhvillimit të qëndrueshëm, një program që shtrihet në horizontin e 10 viteve, por të cilin ne mund dhe do ta përshpejtojmë sepse në këtë mandat të ri që nis ka një hark kohor që përfshin, më shumë herët se sa vonë edhe ndryshimin e qeverisë kombëtare, qëndrore e në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë gjëra që sot duken po aq të pamundura sa c’dukej transformimi i Tiranës dje.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama ju dje firmosët Paktin Qytetar. Vura re se përfshinte premtime që nuk i përkasin vetëm një pushteti vendor, apo hapjen e 300 mijë vende pune. Kujtoj se në 2009 ju gati ironizonit premtimin e së dhjathtës për 160 mijë vende pune, si do i hapni ju 300 mijë vende pune?

Edi Rama: Unë nuk e kam ironizuar, unë thjesht e kam bërë të qartë se ata nuk mund të hapin vende pune, ata me politikën e tyre qorre të shpenzimeve e shpërdorimeve kuturru, pa vizion, pa një program zhvillimi të qëndrueshëm, pa masterplane të integruara në një rrugë të qartë për Shqipërinë, vetëm mund ta thellonin sic e thelluan krizën, madje futën brenda edhe një element, që është një element i ri dramatik, grabitjen e votës për të grabitur Shqipërinë. Ndërsa pakti qytetar është një angazhim politik, i një force të madhe politike sic është Partia socialiste, dhe i imi personalisht, jo thjesht si një kryetar Bashkie por edhe si kryetar i PS, që përfshin harkun e katër viteve, ku sigurisht ka angazhime të cilat nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me cka mund të bëjë qeverisja vendore, por e përsëris, flasim për një hark katër vjecar dhe në ndërkohë ne do të fillojmë intensivisht të kërkojmë realizimin e atyre angazhimeve si opozitë, duke këmbëngulur në të paktën përgjysmimin e TVSH për ushqimin bazë dhe heqjen e TVSh për ilacet, gjë që do të sjellë një ulje të konsiderueshme të cmimeve për ushqimet bazë për familjet e zakonshme dhe që në mënyrën më absolute ne do ta realizojmë që në momentin e parë kur të marrim nga qytetarët mandatin për të qeverisur Shqipërinë. Ashtu sikundër ka në Paktin Qytetar, angazhime të bazuara në modelin tonë të zhvillimit të qëndrueshëm në Tiranë, ku ne flasim për punësim përmes nxitjes së formimit profesional të të rinjve dhe të rejave dhe kreditimit të tyre për hapjen e një biznesi, ne flasim për një program që e kemi eksperimentuar me sukses në Tiranë, por që me eksperiencën e krijuar dhe sigurisht me mundësitë e shumëfishuara që do të na japë në katër vite të pasurit e nderit dhe sigurisht detyrimit për të qeverisur Shqipërinë, ne do ta kthejmë në një model tërësor në të gjithë territorin, për punësimin. Gjë që nga ana tjetër nënkupton se ne jemi shumë të ndryshëm nga kundërshtarët tanë, që bëjnë lista premtimesh bazuar në nevojat dhe dëshirat e njerëzve ndërkohë që ne flasim me argumenta zhvillimi bazuar në një vizion të qartë dhe në një program të shkruar.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama në këto zgjedhje ju sërish keni vënë një bast të madh me veten, me karrierën tuaj, me të ardhmen tuaj politike. Cila do të ishte për partinë socialiste fitore më 8 Maj?

Edi Rama: Unë nuk kam vënë asnjë bast. Unë jam natyrshëm në detyrimin tim për të udhëhequr drejt fitores partinë më të madhe në vend dhe unë ju garantoj se PS i ka fituar zgjedhjet e 8 Majit dhe vetëm deformimi i tyre mund të cënojë fitoren tonë. Nga ana tjetër ne kemi bërë përgatitjet më serioze për të shmangur deformimet.

Zëri i Amerikës: Jeni të sigurt se nuk do e përdorni si argument në rast të një humbjeje?

Edi Rama: Ne nuk kemi nevojë për argumenta alibik në rast humbjeje. Humbja jonë e qershorit 2009 ishte humbje në një rezultat të deformuar dhe jo në kutitë e votimit dhe provat e nxjerra në dritë kohët e fundit, të një sërë kutish me materialet zgjedhore, treguan në mënyrë rrënqethëse se në qershor të 2009, Shqipëria u vodh në votën e saj dhe se shqiptarët sot nuk qeverisen nga ata që kanë zgjedhur po nga ata që nuk i kanë lënë të zgjedhin.

Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit zoti Rama. Duket se ju e keni ndërtuar këtë fushatë duke sulmuar qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha e duke kërkuar më shumë një votë kundër kësaj qeverie se sa një votë për opozitën, për partinë socialiste...

Edi Rama: Kjo mund të duket, por nuk është e vërtetë. Ne kemi ndërtuar një fushatë të ndërtuar në dy plane, që janë edhe dy drejtime orientuese për cdo qytetar që kërkon të clirohet nga kthetrat e papunësisë, varfërisë, padrejtësisë dhe që sigurisht ëndërron një Shqipëri të pastër, të pasur jo vetëm për oborrin e pushtetit por për të gjithë shqiptarët. Një Shqipëri që shkon përpara si atdheu i sigurt i secilit, ku liritë dhe të drejtat janë të garantuara. Dhe në këtë sens ne kemi thënë “Kurrë më Saliut” sepse kurrë më nuk duhet të ketë paudhësi si ato që shohim cdo ditë, deri te kërcënimet e turpshme të mësuesve për t’i dekurajuar në procesin e votimit, apo ata që votojnë për herë të parë, për t’i manipuluar në hapin e tyre të parë në rrugën e pjesmarrjes në jetën demokratike.

Nga ana tjetër kemi ekspozuar në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korcë, në Fier, në vlorë kudo ku kemi qeverisur atë c’ka kemi bërë e atë cka do të bëjmë. Dhe është shumë interesant fakti se ndërkohë që ne kemi një model për të ofruar, nuk ka model të përsosur, ka modele që mund të përsosen apo modele që duhen zhbërë sic është modeli I kundërshtarëve tanë, modeli I Saliut që nuk tregon dot sot një qytet, apo një komunë ku mund të shohim se cfarë kupton ai me plane me zhvillim, me mirëqënie, me urbanistikë e kështu me radhë. Sepse kudo ku Saliu ka qeverisur në nivelin vendor kemi një katrahurë urbane, sociale dhe padyshim edhe ekonomike. Modeli ynë dhe programet tona janë një garanci për një vijim në të vetmen rrugë që kanë shqiptarët sot.

XS
SM
MD
LG